Gati çdo ditë, në mot të mirë e në borë, ata janë duke kërkuar lëmoshë. Rrugët kryesore të Prishtnë, janë të mbushura me femijë romë e ashkalinj, të cilët kërkojnë pastrojnë xhamat e veturave si formë për të fituar para. Megjithatë, edhe ata kanë një ëndërr, që i ngjan shumë ëndërrave të fëmijve shqiptar. Pra sikurse shumica, edhe ata dëshirojnë të largohen nga Kosova, atdheu i tyre.
Për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike e sociale, shumë nga ta kërkojnë lëmoshe.
Duke pastruar xhamat e veturave, këta njomakë kërkojnë para në tri kryqëzimet më të frekuentuara të Prishtnës.
Ndonëse me ligj, një gjë e tillë u ndalohet, ata vazhdojnë për çdo ditë të kryejnë këtë veprimtari edhe në sheshin kryesor të Prishtinës.
Përderisa, tek semaforat afër përmendorës së ish presidentit të ShBA-së, Bill Clinton, tek semaforat e Katëdralës “Nënë Tëreza” dhe në afërsi të Menzës shoferët vetëdijshëm kontrollojnë ngjyrat që ndërrohen, fëmijtë që kërkojnë lëmoshë pastrojnë xhamat e veturave të tyre.
Për këtë ‘punë’ ata zakonishtë fitojnë nga pak centë prej ngasësve të veturave.
Ndonëse fëmijë, ata janë pothuajse të papërfillur nga personat që ecin në këmbë, të cilët nuk i kushtojnë rëndësi fëmijve që po kërkojnë lëmoshë.
E ata që u dhurojnë para atyne, i falëndërojnë. Ndërsa atyre që nuk ua zgjasin dorën e ndihmës, ata u thonë “ani shnosh, motra jeme, çka me bo”.
Tek semaforët e Menzës, kaloj gati çdo ditë e fëmijtë që kërkojnë para i takoj rregullisht.
Kur u ndala për të respektuar rregullat e komunikacionit, tentuan të pastrojnë veturën time.
U thash se nuk kam para.
“Ani shnosh, çka me bo” – u përgjigjën njëri nga ta shpejtësi.
Ndërsa një djalosh tjetër m’u ofrua, duke më pyetur se “qysh s’ki, ke veturë e si ke 20 cent me veti?”.
“Nashta ish kanë mirë me dalë me punu me neve, kishe bo ma shumë pare”, më tha me shpoti një tjetër.
I pyeta nëse janë në shkollë. Përgjigja nuk më befasoi, ndonëse është e dhimbshme.
Të gjithë e shikuan njëri-tjetrin duke thënë se nuk e frekuentojnë shkollën.
Për një javë, nga kureshtja gazetareske, i kam përcjellur nga larg lëvizjet dhe organizimin e tyre.
Gjithmonë janë në grupe prej 4-5 personash dh janë të kujdesshëm që t’i ndajnë makinat për t’i pastruar në mënyrë të barabartë.
Pas shumë pytjesh që ua bëra, si duket u mërzitën.
Pyetja ime e fundit, përgjigja e sëcilës më interesonte më së shumti, kishte të bënte me ‘orarin e punës’ dhe shumë që zakonisht marrin.
“Sa orë qëndroni në rrugë dhe sa para fitoni?”, i pyeta.
“Motra jem, varet kur është koha me diell, rrijm pak ma shumë edhe dalim ma herët. Zakonisht në mëngjes kur po ka ma shumë trafkë, edhe në masdite”, tha Altini 17 vjeçar nga komuniteti ashkali.
Lokacionet janë të ndara, secili e ka “territorin” e tij, i cili territor respektohet në maksimum.
“Po, do i kam ne mahallë e do tjerë veç këtu i kam njoftu. Une jam qe 7 vjet nëpër rrugë krejt i njoh, edhe kur vjen dikush i ri e njoh”, më thotë njëri nga ta.
Ka edhe rregulla të pranimit në grup. E vetmja mënyrë për t’u bërë pjesë e grupit është nëse ndonjëri nga anëtarët aktual është larguar dhe grupi vendosë ta zëvendësojë atë.
Madje, ata thonë se i njohin edhe orët se kur vijnë ngasësit e rregullt të veturave.
“Jo, jo ne të 4 jem këtu shumë moti, kanë tentu me ardhë edhe tjerë, po s’iu ka ecë. Neve edhe na njohin krejt këtu. Këta që kalojnë çdo ditë, e dijmë edhe në sa ora vijnë”.
Altini më tregon se si grup nuk kanë asnjë problem me Policinë e Kosovës, ani pse ditë më parë në Prizren, shteti ka gjobitur 7 lëmoshë-kërkues duke deportuar nëjrin nga ta në Shqipëri.
Në fakt, aksione të tilla ka pasur çdo vit nga Policia e Kosovës, me ç’rast shumë persona kanë përfunduar prapa grilave si të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore.
Por, për Altinin dhe shokët e tij, ky nuk është ndonjë problem i madh.
“Kurr nuk na kanë nguc, as Policia, as dikush tjetër me na jep dënim a me na çu në burg. Policia na shohin se këtu jem na, në mes të rrugës”.
Altini dhe shokët e tij e kanë edhe shumën e paracaktuar që duhet të mbledhin në mënyrë që të konsiderojnë ditën të suksesshme.
25 euro është shuma që ata synojnë të mbledhin çdo ditë.
Ata më tregojnë që stina e verës është më e preferueshmja e tyre, pasi që shumë mërgimtarë vijnë nga vendet perëndimore. Kjo nënkupton edhe para më shumë të fituara nga ana e lëmoshë-kërkuesve.
“S’na ka thënë kërkush se sa me i ba. Ne vet dojmë me i ba 20-25 euro në ditë. Nëse dëshiron hajde edhe ti me neve i bënë (qeshin të gjithë). A per neve vera është më së miri, aty bëjmë na më shumë parë se këta qe jetojnë jashtë na lajnë ka 2-3 euro sa herë që ua lajna xhamat. Po a e ke pa se çfarë kerre kanë ata, normal që i lajnë, se na këtu në Kosovë s’o që kem, ka 20 cent, ka 10 s’na japin shumë”, tregoj Edoni një nga shokët e Altinit.
Sikurse shumë bashkëqytetarë të tyre shqiptar, edhe lëmoshë-kërkuesit e pakicave etnike kanë të njëjtën ëndërr. Ata endërrojnë që një ditë të largohen nga Kosova pasi që thonë se nuk shohin një të ardhme këtu.
Më tregojnë se ikja për në Perëndim, është një zgjidhje më e mirë për ta, sepse nuk dëshirojnë që të kalojnë jetën përgjithmonë si lëmoshë-kërkues.
“Motër, këtu nuk po ka kurgjo, na dalim këtu çdo ditë tërë vitin, çka me bo më ato pare, nuk na dalin as për bukë se kem edhe anëtarë tjerë që i mbajmë. Edhe shkollën si ta kryjmë klasën e 12 kem me ndal, nuk shkojmë ma shumë edhe ashtu në shkollë na thonë që këta që rrin tek semaforat. Endërr e kam me dalë jashtë, më shku në Gjermani, me bo pare. Vec mos mujsha më shku se kurrë se la pa shku”, shtoi Altini në fund të rrëfimit të tij.
Përderisa institucionet e Kosovës, nuk do të hartojnë një plan konkret për integrimin e personave të komunitetëve pakicë jo serbe, Altini dhe shumë shokë të tij do të vazhdojnë të kërkojnë lemoshë rrugëve të Kosovës./Nacionale