Cakolli: Kosova rrezikon të futet në terr kushtetues

- in Lajme

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se situata e krijuar sot në Kuvendin e Kosovës është e paprecedentë dhe se është hera e parë që është dashur të përsëritet procedura për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një bisedë për KosovaPress, Cakolli thotë se nëse deri më 5 maj nuk arrihet të përmbyllen tre raundet e votimit suksesshëm, atëherë Kosova futet në një terr kushtetues.

“Në rast se arrijmë deri të data 5 maj pa i përmbyllur tri raundet e votimit suksesshëm atëherë Kosova do të futet në një terr kushtetues, meqenëse nuk ekziston asnjë dispozitë dhe asnjë rrugëdalje, të paktën jo e shkruar, në situatën kur vendi mbetet pa president, Kuvendi si i tillë shpërndahet automatikisht dhe mbesim me një qeveri në detyrë”, thotë Cakolli.

Ai thotë se është e domosdoshme që subjektet politke të mos pengojnë përmbylljen e formimit të të gjitha institucioneve dhe sipas tij shumica paralamentare duhet të gjejnë rrugëdalje nga kjo situatë duke arritur konsensusin e nevojshëm.

“Nëse nuk konsumohen tre raundet, teknikisht i bie që nuk do të kemi as institucion i cili mund t’i shpallë zgjedhjet e parakoshme parlamentare duke pasur pastaj një zingjir veprimesh të cilat pamundësohen dhe duke e futur Kosovën me një bllokadë totale kushtetuese që do të përbente një zhvillim negativ”, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës ka përsëritur sot rrethin e parë të votmit për zgjedhjen e presidentit, meqë kishte mungesë kuorumi duke votuar vetëm 79 deputetë, derisa Kushtetuta e përcakton se duhet të jenë së paku 80 vota.

Cakolli sqaron se juridikisht ende nuk është konsumuar raundi i parë meqë për të qenë i vlefshëm i njëjti duhet që së paku 80 deputetë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në kutinë e votimit.

“Raundi i parë si i tillë juridikisht nuk ka ndodhur asnjëherë, respektivisht nuk është konsumuar, duke qenë se i njëjti është i pavflefshëm ne nuk do të mund të kalojmë në raundin e dytë pa u siguruar të paktën 80 vota në kuti në këtë raund. Kjo nënkuton se duhet të përsëritet aq herë sa ka nevojë, por më së largu deri më datën 5 maj, çfarëdo iniciative, deri më datën 5 maj mund të përsëritet pafundësisht raundi i parë apo edhe i dyti nëse nuk sigurohet numri prej të paktën 80 votave në kuti”, sqaron Cakolli.

Cakolli thotë se pamundësia për të kaluar në raundin e dytë shpërfaqë një lloj mungese të seriozitetit të subjekteve politike në raport me institucionin e presidentit.

Aktualisht postin e presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mandati i të cilit përfundon më 5 maj.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se presidenti duhet të votohet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, por Cakolli sqaron se në këtë rast kur jemi me ushtrues detyre, 5 maji është afati i fundit kur Kosova duhet të ketë presidentin e ri.

Pas datës 5 maj juridikisht nuk guxojmë të kemi ushtrues detyre të presidentit në asnjë rrethanë, që nënkuton se nuk mund të kemi as institucion që mund t’i shpallë zgjedhjet për shkak se kjo është kompentencë që i takon presidentit”, thotë Cakolli.

Kuvendi i Kosovës sot ka nisur procesin e votimit të presidentit të vendit ku kandidatë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta./G.Kadrija/KP