Çadraku e quan Thaçin gjigant dhe e falënderon për punën që ka bërë

- in Lajme

Dëshmitari Halil Çadraku ka thënë në Hagë se që 25 vite mendon se Hashim Thaçi është gjigant për shkak të drejtimit politik që i ka dhënë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai këtë e tha pasi iu prezantua një video teksa dëgjohej në një intervistë televizive duke thënë se “Zoti lart, ndërsa Thaçi është poshtë”, e që Kosova nuk do të ishte ajo që është sot pa tani të akuzuarin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kosova jonë, shteti jonë me mileniume jemi të okuptuar. Që tre mijë vjet dhe gjithmonë ka pas luftëtarë. Kurrë Kosova s’ka pas mangu luftëtarë për me luftu për me atdhe. Lufta e fundit mendoj që ka qenë shumë mirë e orientuar falë drejtimit politik që ka ditë ta udhëheqë kjo strukturë politike në krye me Thaçin dhe shokët që kanë qenë jashtë si Xhavit Halitin, Bardhyl Mahmutin, etj”, tha Çadraku.

“Mendoj që Thaçi i ka meritat më të mëdhaja. Unë e falënderoj në emër timin, familjes time dhe popullit për atë punë që ka bërë sepse ishte një punë gjigante”, shtoi tutje Çadraku./Demokracia