Buzhala flet me Grenellin pas emërimit të tij: Republikanët i kanë dëshmitë si janë falsifikuar të dhënat kundër Thaçit

- in Lajme

Gazetari Berat Buzhala ishte i ftuar në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziu, ku ndër të tjera foli edhe për rolin të cilin do ta ketë Richard Grenell në Ballkan dhe prapaskenat e arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Buzhala e ka konfirmuar fillimisht se ka komunikuar me Richard Grenell, pas emërimit të tij në postin e të dërguarit presidencial për misione speciale në mbarë botën.

“Grenell do të mbulojë dhe Ballkanin”, tregoi ai pasi Grenell ia kishte konfirmuar këtë pas emërimit në këtë post.

“Aty ku do të ndërhyjë më së shumti, që pritet dora e parë e z. Grenell, unë besoj, është çështja e Tribunalit Special ku mbahet Hashim Thaçi. Grenell ma ka thënë në Tiranë dhe Uashington se Hashim Thaçi është arrestuar për shkak të Donald Trumpit, këtu s’ka asnjë dyshim. Këtë e ka bë Jack Smith, i cili nga procesi i z. Thaçi shkoi u bë prokuror kundër Donald Trump”, ka treguar Buzhala.

Sipas tij do të publikohen edhe prapaskenat e arrestimit të Thaçit.

“Do të ketë informata edhe më të detajuara si ka shkuar çështja, se këto janë vetëm informata çka i di publiku, por ka informata të brendshme që i kanë republikanët, sesi është gatu çështja e arrestimit të Thaçit. Ka informata, ka të dhëna konkrete, biseda të njerëzve të ndryshëm që kanë qenë në proces, të cilët e konfirmojnë rastin e Thaçit me rastin e Trumpit. E ata i kanë, republikanët i kanë ato të dhëna, që e lidhin burgosjen e Thaçit me dëmtimin politik të Trumpit. Ka edhe njerëz dëshmitarë, që ata i kanë të mbrojtur, që e dëshmojnë komunikimin e tyre me Jack Smith që ka qenë prokuror, pra Jack Smith ka komuniku me njerëz, me shqiptarë, i ka nxitë ata që me falsifiku të dhëna kundër z. Thaçi”, shtoi Buzhala.

Tutje ai ka thënë se një prej hapave të parë që do ta marrë administrata Trump është me i dhënë zgjidhje kësaj, sepse kjo është e ngjizur si proces kundër Thaçit e kundër Kosovës.

“Gjatë kësaj jave ka patur takime kryeprokurorja e Hagës, kryegjyqtari i Hagës dhe diplomatët e BE-së që janë aty. Së pari është konflikt interesi. Ata po funksionojnë si një trup i vetëm edhe i kanë thënë diplomatëve të huaj kur të vjen z. Grenell, po frikësohemi se do ta lirojnë z. Thaçi. Këtë unë e di sigurt”, tregon Buzhala. /Demokracia.com/