Zënkat mes fëmijëve dinë të shkaktojnë telashe edhe te të rriturit, të cilët vendosin të përfshihen dhe t’u dalin atyre në krahë. Në shumë raste, prindërit ‘marrin hak’ duke ofenduar e sulmuar fizikisht bashkëmoshatarët e fëmijëve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Dy fëmijë të cilët u përleshën mes vete në afërsi të shkollës fillore të fshatit Kervasari në Malishevë, u bënë shkak që babai i njërit prej tyre të sulmojë fizikisht një të mitur.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në fillim të muajit, kur i dyshuari 55-vjeçar kishte rrahur një fëmijë 12-vjeçar.
Kjo ka bërë që babai i fëmijës të kërkojë ndihmën e Policisë, duke rrëfyer para hetuesve gjithë atë që ka ndodhur.
Policia ka arritur që të arrestojë të dyshuarin, i cili ka pranuar gjatë intervistimit se e ka sulmuar fizikisht të miturin, duke e goditur me shuplaka. Sipas tij, e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se djali i tij dhe viktima ishin rrahur mes vete.
I mituri ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.