“Banka Qendrore, anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare”.
Ky përkufizim i Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës (03/L-209) është shkelur me të dy këmbët nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila pas urdhërit publik të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka ndërmarrë veprime konkrete, shkruan Demokracia.com.
Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar Bankën Qendrore si “institucion të pavarur, i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës”, kurse Ligji për Bankën Qendrore ia ndalon anëtarëve të organeve vendimmarrëse ose personelit të saj që të marrin udhëzime “nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare”.

11:37 – URDHRI PUBLIK I KURTIT PËR BQK-në
Pas përdorimit të temës së nxitur nga BQK-ja me ndryshimin e rregullores që kufizon përdorimin e valutave të huaja, përfshirë dinarin serb, kryeministri Kurti, i ndodhur nën presion të madh ndërkombëtar ka vendosur që të shkelë pavarësinë kushtetuese dhe ligjore të këtij institucioni themelor në Republikën e Kosovës, por që tashmë është kapur nga militantë të Vetëvendosjes.
Të hënën e 12 shkurtit 2024, në orën 11:37, Kurti, ndonëse nuk e përmendi me emër, urdhëroi BQK-në që të mos zbatojë masa ndëshkuese gjatë një periudhe tranzicioni.
“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë të njëjtin qëndrim me përkushtim”, shkroi ai.

Në një kohë rekord pas këtij urdhri publik, Banka Qendrore ka hartuar planin me veprime shtesë, të cilin e publikuan në ditën e njëjtë, në orën 15:25.
Ky plan me veprime shtesë, sipas BQK-së, do të realizohet “në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.
