Borxhlinjtë e rrejshëm të VV-së: Pasuri 22 milionë, e borxhe 1 milion e gjysmë

- in Lajme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë futur në borxh me qytetarët që kur ua morën votën. Por, ky nuk është borxhi i vetëm i tyre. Detyrimet financiare të kuvendarëve të VV-së kapin shifra milionëshe, ama kjo s’i bën të varfër.

Shprehja popullore “Borxhi ditë të mira s’pret” ose “Borxhlisë merrja edhe bishtin e sakicës”, na bën të besojmë se kushdo që gjendet në borxhe, e ka punën keq.

E në shikim të parë, kur të shohësh se kemi deputet si Haki Abazi me 268 mijë euro borxh, veç mund të themi “Shpresojmë se mund t’i lajë ndonjëherë”.

Duket se populli ynë historikisht i varfër, në shprehjet e mësipërme nuk e ka marr parasysh faktin se të pasurit përdorin borxhin për t’u pasuruar edhe më shumë.

Ngjashëm veprojnë edhe deputetët e VV-së, që në borxh kanë hyrë vetëm për t’u pasuruar edhe më shumë [mirë për ta dhe secilin që pasurohet ligjshëm].

Nga 58 deputetë të VV-së sa janë në Kuvendin e Kosovës, të paktën 35 prej tyre kanë borxhe, e borxhi total i tyre kap shifrën 1 milionë e 499 mijë 284 euro e gjashtë centë.

Por, nëse besoni që deputetët e VV-së qëndrojnë keq financiarisht, e keni shumë gabim, sepse të hyrat vjetore të kuvendarëve shumicë shkojnë goxha lartë mbi të hyrat vjetore mesatare në Kosovë.

Rreth 1 milionë e gjysmë borxhe është shifër e madhe, por edhe më e madhe është shifra prej 22 milionë e 473 mijë euro – që është pasuria e tyre në total.

Borxhliu më i madh ndër deputetët e VV-së është ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi – që aktualisht po sillet nëpër Kuvend, pa mundur ta gjejë vetën pjesë të qeverisë – i cili ka 268 mijë 500 euro borxh.

Por i njëjti, gjithashtu pasuri të luajtshme e të paluajtshme, para në bankë e aksione; i ka në vlerë prej 999 mijë e 550 euro, pa i llogaritur të hyrat vjetore që i ka 59 mijë e 244 euro.

Vasfije Blair është tjetër deputetë e VV-së me borxh të madh; 165 mijë e 208 euro. Por, 262 mijë e 78 euro ka vlerë pasuria e saj e luajtshme, paluajtshme dhe paratë në bankë, ku krahas tyre merr edhe 100 mijë euro në vit të ardhura.

Top-10 deputetët më të pasur nga partia e Kurtit janë:

Valon Ramadani | 3 milionë e 802 mijë euro;

Enver Haliti | 1 milion e 660 mijë euro;

Gramoz Agusholli | 1 milion e 405 mijë euro;

Jahja Kokaj | 1 milion e 165 mijë euro;

Haki Abazi | 1 milion euro;

Fatmir Humolli | 730 mijë euro;

Avni Dehari | 596 mijë euro;

Fitim Haziri | 560 mijë euro;

Luan Aliu | 550 mijë euro;

Dimal Basha | 540 mijë euro.

Para në banka

Vec në bankë, deputetët e VV-së i kanë 615 mijë euro, listën e kryeson Mirsad Shkreta.

Mirsad Shkreta | 104 mijë euro

Driton Hyseni | 84 mijë euro

Jahja Kokaj | 47 mijë euro

Labinotë Demi Murtezi | 45 mijë euro

Vendenis Lahu | 40 mijë euro

Të hyrat vjetore

Deputetja Vasfije Blair merr 84 mijë euro në vit, pa llogaritur këtu pagën vjetore të deputetit. E me të, kap shifrën e 100 mijë eurove, që i bie 273 euro në ditë – 100 euro më shumë se paga minimale në vend.

Vasfije Blair | 100 mijë euro në vit

Fjolla Ujkani | 85 mijë euro në vit

Haki Abazi | 59 mijë euro në vit

Mirsad Shkreta | 57 mijë euro në vit

Armend Muja | 54 mijë euro në vit

E çuditshme kjo kur të kujtojmë se ishte pikërisht partia e këtyre milionerëve që dikur thoshin se shtresa e varfër nuk përfaqësohet në Kuvend, meqë deputetët janë të pasur.

“… thelbësore është se nga çfarë shtresash shoqërore vijnë deputetët – p.sh. të varfrit s’janë fare të përfaqësuar, kurse klasa e mesme është pak e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës”,  shkruante Vetëvendosje në komunikatën “Përfaqësimi në sanduiq”./Nacionale