Thirrjet e Listës Serbe të dirigjuar nga Beogradi zyrtar për bojkot të procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, paraqesin refuzimin e Prishtinës zyrtare, ndonëse institucionet kosovare hyn në këtë proces me premtimin se serbët do të ndjekin rrugën institucionale për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe nuk do ta bojkotonin procesin, ashtu siç bënë më 23 prill 2023 kur nuk dolën në zgjedhje.
Madje, kjo rrugë e re për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë është hapur pikërisht nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.
Ky refuzim i Listës Serbe për të marrë pjesë në këtë proces, dëmton përpjekjet e Republikës së Kosovës për të kthyer normalitetin në këto komuna, ku herë pas here, tensionet janë të pranishme.
Pjesë e këtyre tensioneve ishin bërë edhe zyrtarët më të lartë të kësaj partie. Në shtatorin e vitit 2023, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, është vërtetuar edhe përmes videove, se i ka prirë grupit terrorist të armatosur ushtarakisht që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Siç duket, thirrjet për bojkotim të proceseve demokratike dhe institucionale, më së paku i ndihmojnë zhvillimit të Republikës së Kosovës.
Këtë fakt nuk e kishte parasysh kryeministri i tashëm i Kosovës, Albin Kurti, si opozitar, në vitin 2007, i cili asokohe kishte themeluar Lëvizjen Vetëvendosje, një subjekt politik që qysh në fillimet e saj ishte shfaqur me një linjë më të ashpër në përmbushjen e qëllimeve të saj politike.
MEDIAT NDËRKOMBËTARE: ZGJEDHJET PARA SHPALLJES SË PAVARËSISË
Zhvillimet politike të vitit 2007 ishin të qarta për të gjithë. Pas negociatave disavjeçare në Vjenë, Kosova pritej të shpallte pavarësinë e saj.
Gazeta THE GUARDIAN shkruante më 18 nëntor 2007 se zgjedhjet janë zhvilluar në mesin e pritjes nga kosovarët dhe komuniteti ndërkombëtar se “Kosova do ta shpallë pavarësinë – Bisedimet e statusit nuk po shkojnë asgjëkundi”.
“Kosova”, shkruante The Guardian, “pritet ta shpallë pavarësinë në shkurt, pas afatit të 10 dhjetorit kur treshja ndërkombëtare do të bëjë raportin e vet për bisedimet”.
“Çfarëdo që të jenë ndryshimet midis tyre, partitë kryesore që konkurruan në zgjedhjet e Kosovës janë fuqishëm të një mendjeje për një qëllim: Pavarësinë nga Serbia”.
Nëse fiton zgjedhjet ish-komanndati guerilas Hashim Thaçi dhe partia e tij demokratike e opozitës, siç tregojnë parashikimet, kërkesat për pavarësi mund të bëhen edhe më të fuqishme, shkruante The Guardian.
Gazeta tjetër, THE INDEPENDENT shkruante se “Pavarësia ishte shenja kryesore në zgjedhjet në Kosovë”.
Ky ishte ambienti politik i asaj kohe dhe rëndësia e madhe që Zgjedhjet e 17 Nëntorit 2007 kishin për Kosovën dhe të ardhmen e saj politike.
Megjithkëtë, Kurti kishte hyrë në një “rrugë pa krye” dhe mbante qëndrime që sot nxjerrin në sipërfaqe një figurë politike të ndërtuar mbi gënjeshtra dhe vrojtime krejtësisht të gabuara, të cilat vazhdojnë ta ndjekin si hije edhe sot kur ai është bërë kryeministër.
17 NËNTOR 2007 – KURTI BËNTE THIRRJE PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: THAÇI DO TA PRANOJË AUTONOMINË E KOSOVËS NËN SERBI
Historia e rrugëtimit politik të Kurtit, shpeshherë e shpërfaq atë si një figurë komike, e në plotë raste të tjera me qëndrime në kundërshtim të arritjeve madhore historike për shqiptarët e Kosovës, por jo vetëm.
Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, asokohe u bënin thirrje shqiptarëve të bojkotonin pjesëmarrjen në Zgjedhjet e 17 Nëntorit 2007.
Në një intervistë për TV Klan të Shqipërisë, të dhënë më 17 nëntor 2007, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte treguar arsyet se përse subjekti i tij politik ishte bërë pjesë e fushatës, duke u kërkuar qytetarëve që të bojkotojnë pjesëmarrjen në zgjedhje.