Pretendon se nga “burime 100% të sakta” të ketë mësuar për një “sulm në përgatitje e sipër nga Serbia” në veri të Kosovës hiç më larg se këtë vjeshtë me qëllim “shkëputjen” e atyre zonave nga Republika e Kosovës për në të Serbisë.
Politikani serb – tash i ikur nga vendi, siç thotë ai, për çështje sigurie personale – Boban Bogdanoviq, dje e dha në ish-Twitter, se ka plan sulmi serb në veri. Kohëndodhjen e këtyre pretendimeve për sulm ai e jep “dikur gjatë vjeshtës”.
Në një bisedë me Nacionalen, Bogdanoviq thotë se burimet e tij “janë po ata të njëjtat” që sipas tij e kishin paralajmëruar për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar; për çka thotë se kishte shkruar “qysh para sulmit” në një seri cicërimash bashkërisht me thirrjet e tij që Republika e Kosovës të dezignonte Listën Serbe si organizatë të jashtëligjshme dhe terroriste.
Ndonëse shpjegimet e tij çalojnë në dimensione të shumta serioziteti, Bogdanoviq thotë se qeveria e re serbe e sapovotuar “është qeveri dhe kabinet i luftës”; dhe se është po ajo kastë politike e qendisur për këtë mësymje të veriut të Kosovës.
Në vija të përgjitshme, pretendon ai, se janë diku disa qindra terroristë paramilitarë serbe në veri në gjendje pasive që mund të aktivizohet “diku nga vjeshta” dhe të nisin sulme edhe ndaj vetë KFOR-it, për çka pretendon se mëpastaj mund të ndërhyjnë “1 mijë njësi speciale paramilitare” nga territori i Serbisë.
Kthimin e Aleksandar Vulinit në qeveri – që edhe Shtetet e Bashkuara e kanë konfirmuar se ishte i përfshirë në sulmin në Banjskë (Jim O’Brien, Zëri i Amerikës, 13 shkurt) – Bogdanoviq e jep indikative për këtë sulm të pretenduar.
“Të njëjtat burime që më thanë për Banjskën…e kthyen edhe Vulinin ju e patë…plani është me një njësi speciale serbe që Serbia të provojë shkëputjen e veriut”, tha ai.
“Plani është që me paramilitare serbe brenda Kosovës diku 600-700 serbë që janë të gatshëm të luftojnë. Kur forcat ruse të shkojë në kufi të Moldavisë në Transistri, aty duan të sinkronizohen; serbët do t’ia mësyejnë KFOR-it dhe shqiptarëve policë; dhe në atë rast nëse forcat e Kosovës shkojnë në veri aty planifikojnë 1 mijë specialsë serbë të hynë nga Serbia dhe qëllimi është kufiri në lumin Ibër”.
Nacionale: “Ju po thoni që ata synojnë t’ia mësyejnë KFOR-it?”
Bogdanoviq: “Po, ky edhe është plani. Banjska ishte vetëm të tregonin se çfarë mund të bëjnë”.
Paralajmërimet e Kurtit për “sulme të mundshme”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media më 23 dhjetor të vitit të kaluar, kishte folur për një rigrupim të forcave paramilitare të Millan Radojçiqit në Kopaonik, nga ku shpalonte informacione se “po përgatisin sulme të reja ndaj Kosovës”.
“Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s”, shprehej Kurti.
”Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti pretendonte, për më tepër, se një grup prej 80 personash të larguar nga Kosova vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.
Mes tjerash, sipas tij, kjo po ngjante edhe në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku e jepte se veçse kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, thoshte Kurti./Demokracia