Në një letër të Sekretarit Amerikan të Shtetit për kryeministrin, Albin Kurti theksohet, se mungesa e zgjidhjes në marrëdhëniet Kosovë-Serbi mbetet pengesë për integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Në një letër të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti theksohet qartë, se SHBA “shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë. Pritshmëria tjetër është që Kosova të mbështetë zotimet paraprake. Në letrën e publikuar nga zyra e kryeministrit Kurti (13.01). thuhet se SHBA pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.
Blinken: Problemet Kosovë-Serbi pengesë për integrimin eur-oatlantik
Për Antony Blinken “natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesë për anëtarësimin dhe integrimin e plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike”. “Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, shkruan Blinken.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken shkruan, se “Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar”. “Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar z. Blinken.
Takimi Vuçiq-Kurti në Bruksel në prani të kryediplomaitit europian, Josep Borrell, 15.06.202
Reagimi i QUINT për vendimin e Kosovës në lidhje me referendumin e Serbisë
Letra e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken u bë publike në ditën kur kryeministri Albin Kurti, iu përgjigj kreut të diplomacisë evropiane Josep Borrell, se Serbia nuk mund të organizojë referendum për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, por serbët e Kosovës do të mund të votojnë në referendum vetëm përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë. Pas këtij qëndrimi të prerë të qeverisë së Kosovës, ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, të njohura su QUINT, nëpërmjet një deklarate të publikuar në paraditen e 14 janarit, thanë se “me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi”.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe kryeministri, Albin Kurti
QUINT në deklaratë kërkoi nga Kosova dhe Serbia të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin. “I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në reagimin e QUINT.
Qeveria e Kosovës: Situata me referendumin është ndryshe
Në të shkuarën gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, Kosova nuk e ka ndaluar organizimin e tyre edhe në Kosovë në vendbanimet me shumicë serbe, ku këtë proces e ka bërë OSBE-ja, por, në rastin e referendumit të Serbisë, sipas qeverisë së Kosovës, situata është më ndryshe. “Duhet bërë dallimi mes referendumit për një çështje ekskluzivisht të brendshme të një vendi dhe zgjedhjeve. Në rastin konkret, Serbia po organizon referendum për sistemin e organizimit shtetëror të Serbisë, përkatësisht sistemin e drejtësisë”, ka thënë qeveria e Kosovës.
Prishtina
Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mërkurën (12.01) mbrëma tha se moslejimi i mbajtjes së referendumit në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë “do ketë pasoja afatgjate”. Vendet e QUINT-it, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thuhet në deklaratë “e mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”. Autoritetet e Kosovës ndërkaq, disa herë e kanë përsëritur se Serbia do të duhej të ndryshonte kushtetutën e saj për të hequr pjesën në të cilën thuhet se Kosova “është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.
Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”/RTK