BLINKEN PËR VAKSINAT KUNDËR COVID-19: KJO DHURATË PËRFAQËSON LIDHJET E PALËKUNDURA MIDIS NJERËZVE TANË

- in Lajme

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se 500 mijë dozat e vaksinave Pfizer për Kosovën sjellin 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj për vaksinimin.

Përmes një postimi në Twiter, sekretari amerikan i shtetit, ka thënë se kjo dhuratë përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura midis njerëzve tanë.

“Sot SHBA dhuroi kontigjentin e parë nga 500,000 doza Pfizer për Kosovën, duke e sjellë atë 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të vaksinimit. E dhënë përmes COVAX, kjo dhuratë përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura midis njerëzve tanë. Së bashku mund ta mposhtim COVID-19”, ka shkruar Blinken në llogarinë e tij në Twitter.

Sot në Kosovë kanë arritur 35 mijë e 100 doza të vaksinës Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit COVAX. ShBA-të do të mbështesin Kosovën me gjithsej 500 mijë vaksina, ndërsa sot ka arritur vetëm kontingjenti i parë.

Në ceremoninë e pranimit të vaksinave, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se muaj më parë i është drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me kërkesën për të ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.

Arritja e vaksinave sot, Osmani tha se tregon solidaritet dhe rikonfirmon miqësinë e fortë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara./KP