Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shkruar për takimin që e pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Departamentin e Shtetit në Washington D.C.
Blinken përmes Twitterit tha se SHBA-të mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës si dhe dialogun me Serbinë.
Blinken përmendi dhe falënderoi sërish Kosovën për mikpritjen dhe strehimin e afganëve.
“U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.