Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka konfirmuar pjesëmarrjen de fakto të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 8 majit me opozitën shqiptare, gjegjësisht se anëtarë të Lëvizjes së Albin Kurtit do të jenë pjesë e listave zgjedhore të Lidhjes Europiane për Ndryshim.
Mexhiti gjithashtu pretendoi se Albin Kurti si lider rajonal gëzon një rejting të lartë për mënyrën sesi lufton korrupsionin, për funksionimin e shtetit të së drejtës, andaj ka fituar edhe simpatinë e shqiptarëve atje.
“Vetëvendosje de jure nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje, por de fakto po, sepse anëtarë të saj do të jenë në listat zgjedhore, siç është Bekim Qoku strugan dhe që ka qenë deputet në parlamentin e RMV në kohën e PDSH dhe tani do të marrë pjesë në listën zgjedhore, pra si pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim”, ka thënë Mexhiti mes tjerash.
Por, një kandidat që ishte mbështetur nga Vetëvendosje kishte dështuar keq, shkruan Demokracia.com.
Blerim Reka kandidoi si i pavarur në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut në vitin 2019 dhe ishte mbështetur nga Albin Kurti.
Ish-kandidati për president të Maqedonisë Veriore, Blerim Reka, ishte takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti e kishte pritur në takim Rekën dhe kishte treguar se e mbështetë Lëvizjen Vetëvendosje.
Në postimin e tij, Kurti kishte treguar se me Rekën u pajtuan që është koha për tranzicion post-korruptiv të rajonit.
“Sot prita Ambasadorin, Prof. Dr. Blerim Reka, me të cilin biseduam për gjeopolitikën ballkanike në prag të zgjedhjeve në Kosovë. U pajtuam se pas tri dekadash të tranzicionit post-konfliktual, erdhi koha për tranzicion post-korruptiv të rajonit, meqenëse korrupcioni mbetet kërcënim strategjik dhe derë e hapur për fuqitë jashtë komunitetit Euro-Atlantik. Konstatuam se janë shpresëdhënëse qëndrimet e reja të faktorit ndërkombëtar mbi reciprocitetin dhe simetrinë lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, e që mungonte gjatë dialogut shtatë vjeçar të Brukselit. Lëvizja VETËVENDOSJE! mund ta bëjë ndryshimin aq të pritur në Kosovë, tha ambasadori Reka duke na dëshiruar sukses në zgjedhje”, kishte shkruar Kurti. /Demokracia.com/