Bigamia: Ligji e ndalon, Shefqet Krasniqi e promovon

- in Lajme

Orientimi drejt kulturës perëndimore nuk i ndalon kosovarët ta shndërrojnë në temë çështjen banale të bigamisë, përsëri e përsëri. Edhe kësaj radhe, protagonist i këtij diskutimi u bë hoxha Shefqet Krasniqi, i cili në një shtet laik shpesh promovon ide që bien ndesh me të drejtat e njeriut. Por, çka thotë Kodi Civil për bigaminë?

Pos të vjetrit, edhe Projektkodi Civil i ri sigurisht që e ndalon bigaminë, veç tjerash veprimi i tillë konsiderohet vepër penale e dënueshme me burgim.

I dashur lexues, në Kosovë nuk mund të martohesh me dy gra, as me dy burra!

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy personave të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.

Madje aty specifikohet se martesa me dy persona në të njejtën kohë është e palejueshme.

Një vepër e tillë [bigamia] është e dënueshme deri në 1 vit burgim, me kodin penal të Republikës së Kosovës.

“Kushdo që lidh martesë me personin për të cilin e di se është i martuar dënohet me dënim prej (1) një viti burgim”, thuhet në Kodin Penal.

Ky sqarim erdhi si nevojë pas deklaratave absurde të Shefqet Krasniqit, i cili fatkeqësisht ka ndikim të madh në shoqërinë tonë laike.

Hoxha nuk e diskutoi çështjen e lejimit apo ndalimit të bigamisë sepse kjo veç dihet. Kësaj radhe, imami shkoi edhe më larg; burri nuk e ka obligim ta pyesë gruan, që ta martojë tjetrën.

Nuk e ka me borxh burri me pytë gruan e parë, për me marrë të dytën. Nuk e ka obligim… jaa nuk e ka obligim. Gruaja (e parë) nuk ka të drejtë të ndahet nga burri, veç pse burri e murrë gruan e dytë”, ka thënë Shefqet Krasniqi në DTV.

Për këtë pati një përplasje publike, në mes avokatit Arianit Koci dhe biznesmenit Burim Piraj.

Avokati Koci reagoi në Facebook, duke thënë se nuk mund t’i martosh dy gra.

Nuk mund t’i kesh në asnjë mënyrë, më shumë se një grua, në të njejtën kohë, sipas rendit tonë juridik. Bigamia është e ndaluar”, shkroi Koci.

E kjo ngjalli reagimin e Pirajt i cili replikoi në këtë mënyrë: “Hoxha nuk po folë vetë! Ai po e transmeton atë që Allahu e ka lejuar ose ndaluar! Dhe nuk po thotë merri dy patjetër, po thotë dashnoren bëne grua si zgjidhje, e kështu deri katër në kurorë”.

Debati për institutin e martesës pritet të kthehet prapë, kurdo që Kuvendi do të tentojë miratimin e Projektkodit të ri civil./Nacionale