Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se niveli i ujit në liqenet akumuluese kanë pësuar rënie. Niveli i ujit në liqenin e Badovcit është minus 8 metra në kuotën e kapërderdhjes, dhe sipas drejtuesve të kësaj kompanie, ky është niveli më i ulët prej pas luftës.
Aktualisht furnizimi me ujë nuk është rrezikuar po për shkak të konsumit të lartë gjërat mund të ndryshojnë dhe të fillojnë reduktimet.
“Pjesa e liqeneve tona akumuluese, të dyja që menaxhojmë, në Batllavë dhe liqeni i Badovcit sa i përket pjesës së niveleve, niveli në liqenin e Badovcit është minus 8 metra nga niveli i kuotës së kaperderdhjës që përben nivelet me të ultë në periudhën e pas luftës. Liqeni i Batllavës është në nivel të mirë në aspektin e akumulimeve, mirëpo problematike si zakonisht është liqeni i Badovcit”, ka deklaruar Xhafa për KosovaPress.
Xhafa shtoi se aktualisht furnizimi me ujë për qytetarët që furnizohen ekskluzivisht nga liqeni i Badvocit po vazhdon rregullisht por kjo mund të ndryshojë dhe të fillojnë reduktimet.
Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa
“Sa i përket pjesës së rezervave nëse flasim referuar liqenit të Badovcit ne e kemi pjesën e trajtimit që bëjmë nga impianti në Shkabaj, duke marrë ujin nga liqeni i Ujmanit dhe Batllavë me këto të dyja i kompensojmë. Por, sigurisht nëse vazhdon një trend i tillë i konsumit, pjesët që furnizohet ekskluzivisht nga Badovci mund të përballen me reduktime të furnizimit me ujë, më qëllim të tejkalojmë këtë periudhë të konsumit të madh ose këtë periudhe thatësie që po mbretëron tash e një kohë të gjatë”, ka theksuar Xhafa.
Xhafa tha se nëse vendoset që të aplikohen reduktimet atëherë ato do të jenë gjatë natës.
Qytetarët në Kaçanik dhe Han të Elezit së fundmi u përballen me ujë jo të pastër, por Xhafa garanton se në Prishtinë uji është i sigurt për pije. Ai shton se cilësia e ujit monitorohet 24 orë.
“Pjesa e cilësisë së ujit është e garantuar 100 për qind nga sistemet tona, ne gjithmonë bëjmë kontrolle edhe gjatë festës i kemi mbuluar me laboratorë tona… Sa i përket zonës sonë që furnizojmë, uji është i sigurt, është 100 për qind për pije, monitorohet 24 orë dhe gjithë konsumatorët i garantojmë dhe i sigurojmë që uji është i sigurt për pije”, vijojë Xhafa.
Kjo kompani është duke marrë masa edhe për ata persona të papërgjegjshëm që ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellësit dhe bëjnë kyçje ilegale.
KRU “Prishtina” apelon konsumatorët se shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm./KP/Telegrafi/