Bie në pranga të Policisë hajni që theu dritaren dhe vodhi pajisjet mjekësore në QMF-në e Drenocit

- in Lajme

Para disa ditësh në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenoc të Malishevës një person ka depërtuar me forcë, duke thyer një dritare, me ç’rast ka vjedhur një çantë me pajisje mjekësore. Policia ka arritur që ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarin të shtunën, në orët e mbrëmjes, në shtëpinë e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari që u prangos është S.M., 32-vjeçar, i cili ka përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur para tri ditësh, kur i dyshuari ‘avulloi’ nga një dhomë e QMF-së çantën e një punëtori shëndetësor, në të cilën kishte pajisje mjekësore dhe më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Në lidhje me rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka intervistuar punonjësin të cilit iu vodh çanta. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti dhe ndaj të dyshuarit pritet të dorëzohet kallëzim penal brenda afatit ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/