Shpesh herë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e shantazhet ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një vajzë e re në fshatin Turjakë të Malishevës muaj më parë kishte raportuar në Polici se është në hall nga ish i fejuari i saj, i cili po kërkon me ngulm që të vazhdojnë lidhjen e dashurisë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 25-vjeçari dyshohet që përmes mesazheve të dërguara në adresë të familjarëve të viktimës dhe të fejuarit të saj aktual, ka kërcënuar se do t’ia publikojë fotot intime të 25-vjeçares, në rast se ajo nuk pranon që të vazhdojë lidhjen me të.
Përballë kësaj situate, viktima është detyruar që ta denoncojë rastin në Polici, ku para hetuesve ka deklaruar se këto kërcënime janë të vazhdueshme.
Njësitë policore janë aktivizuar për arrestimin e të dyshuarit, i cili ka shijuar lirinë nga arratia që nga muaji shtator.
I dyshuari është arrestuar mbrëmë dhe i njëjti është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.