Një shtetas i Serbisë, me inicialet D.R., është arrestuar nga policia serbe nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike në Jagodinë ka kërkuar që të arrestuarit ti caktohet masa e paraburgimit.
Siç raportojnë mediat serbe “dyshohet se D.R është bërë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH) në vitin 2022, sipas urdhrave dhe detyrave të të cilit ka vepruar deri në arrestimin e tij. Nëpërmjet shërbimit inteligjent të Shqipërisë, D.R vendosi kontakte me strukturën e sigurisë që funksionon nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”.
Më tej thuhet se “duke punuar sipas urdhrave dhe detyrave të strukturave të përmendura, D.R ishte angazhuar në mbledhjen e të dhënave përkatëse politike, të sigurisë dhe ekonomike në vendin tonë [Serbi], të cilat ishin objekt i interesit të shërbimit inteligjent të Shqipërisë. Në zbatimin e aktiviteteve të sipërpërmendura, ai përfshiu disa nga lidhjet e tij të ngushta, të cilët me urdhër të tij zbatuan më tej detyrat e marra nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke krijuar kështu një lloj rrjeti inteligjence”.
Më tej në artikull thuhet se “në periudhën paraprake, D.R., për Shërbimin Informativ të Shqipërisë, ka mbledhur informacione për pjesëtarë të caktuar të shërbimeve të sigurisë së Serbisë dhe serbët nga Kosova, dhe me urdhër të tyre është angazhuar në situata krize në veri të Kosovës gjatë protestave dhe barrikadave. Po ashtu, në disa raste ai ka filmuar fshehurazi lëvizjet e forcave të sigurisë serbe në zonën e komunës së Rashkës, në radhë të parë të njësive të Ushtrisë Serbe”.
Sipas medias serbe “synimi i D.R.-së ishte të mblidhte sa më shumë video materiale për ‘shënjestrat’ dhe t’ia dorëzonte Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë.
“Ai pati kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë në disa raste. Më së shumti është takuar me ta në Maqedoni dhe Shqipëri, disa herë edhe në territorin e Kosovës, në Pejë dhe Zhur”./Demokracia