Bërlloku ‘pushtoi’ Prishtinën: Problemi te do borxhe e do kamionë apo te kultura e qytetarëve?

- in Lajme

Në fushën mediale të Kosovës përsëri hyri bërlloku i Prishtinës. Pamjet e mbeturinave të dala jashtë kontejnerëve shqetësuan qytetarët dhe partitë politike kryeqytetase. Por, kjo krizë bërlloku është më shumë sesa thjesht e kufizuar në kohë vetëm në ditën e sotme. 

Për fat të keq, pamjet e kontejnerëve të stërmbushur e bëjnë problemin të duket sikur është i izoluar në ditën e sotme.

S O T

Kompania për menaxhimin e deponive ka marrë vendim që mos ta lejojë Kompaninë Regjionale “Pastrimi” që të bëjë zbrazjen e mbeturinave.

Arsyeja për një gjë të tillë është borxhi që kompania e lartpërmendur i ka kompanisë së papërmendur.

“Pastrimi” kishte shkruar në Facebook gjatë ditës së djeshme duke informuar qytetarët me problemin.

Ata nuk përmendin borxhin e tyre, por në vend të kësaj shprehën shqetësimin në lidhje me mosofrimin e kushteve minimale për kryerjen e aktiviteteve të tyre.

Po ashtu, “Pastrimi” ndau një video në të cilën shihet se si kamionët e tyre dëmtohen duke derdhur mbeturinat.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka kërkuar falje në emër të komunës për gjendjen e krijuar.

“Jemi duke e zhbllokuar këtë situatë, në mënyrë që të vazhdojmë me grumbullim të mbeturinave”, shkruan z. Zogaj në Twitter.

Dhe, derisa hallakama në medie u bë e madhe aq sa njerëzit të mblidheshin rreth kontejnerëve për të shkrepur fotografi, problemi “u zgjidh”.

Kompania “Pastrimi” njoftoi rreth orës 11:00 se kishte filluar zbrazja e kamionëve të tyre me mbeturina.

Sidoqoftë, në këtë njoftim ata thonë se “nuk do mund të kryejmë terrenin sipas orarit të zakonshëm.”

D J E

Fatkeqësisht, episodi i sotëm është tepër joshprehës mbi problemin e mbeturinave në komunën e Prishtinës.

Edhe në ditët kur kamionët e kompanisë së lartpërmendur ngarkohen e shkarkohen si rëndom, bërlloku vazhdon të qarkullojë.

Mbushja e kontejnerëve nëpër shumicën e lagjeve në kryeqytet vazhdon të jetë shumë më e shpejtë se sa kapaciteti i “Pastrimit” për t’i hequr ato.

Për shkak të erës së rëndë dhe kundërmimit, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk arrijnë t’i hedhin mbeturinat e tyre në kontejnerë, por i hedhin në afërsi të kontejnerëve. Në shumë e shumë fotografi që shpërndahen në rrjete sociale vazhdimisht, shihet se si mbeturinat hidhen jashtë kontejnerëve derisa brenda tyre – me raste – nuk ka asgjë.

K U L T U R A

Një pjese të konsiderueshme të qytetarëve të Prishtinës vazhdon të mos i bëjë përshtypje problemi i jashtëzakonshëm me mbeturinat.

Kjo mund të vërehet edhe nga faturat enorme e të papaguara nga qytetarët e Prishtinës.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Burim Kelmendi, prej vitit 2010 e deri në fund të vitit 2022, shifra e plotë kishte arritur në 19 milionë euro.

Në vitin 2008 ndërkohë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që t’i falte 10 milionë euro borxhe të qytetarëve.

“Problemi numër një është mospagesa prej qytetarëve. Kemi 19 milionë euro borxh të akumuluar nga komunat. 10 milionë euro janë falur në vitin 2008, këto janë prej vitit 2010. Borxhi është falur dhe nuk është kërkuar. Janë 120 mijë klientë që kemi, mirëpo shumica janë recidivistë që nuk e kanë paguar prapë”, kishte thënë Kelmendi për Kohën.

Ai kishte shtuar se problemi rrënjësor ishte fakti që kjo ndërmarrje ishte joprofitabile, dhe se për këtë shkak e kishte të pamundur që të bënte investime.

Një problem i madh në Prishtinë kishte ndodhur edhe në vitin 2019 kur kompanisë Pastrimi i ishin ngrirë xhirollogaritë bankare.

Është e qartë se kjo krizë “e dukshme” do të zgjidhet, por është e qartë edhe se Prishtina do të vazhdojë të vuajë nga bërlloku edhe pas ditës së nesërme.  /Nacionale