Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet lokale në katër komunat veriore, votime që u bojkotuan nga Lista Serbe që qeveriste me këto komuna derisa vendosën të largohen nga institucionet. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), zgjedhjet janë karakterizuar me pjesëmarrje të ulët të votueseve që është 3.47 për qind, shkruan Gazeta Sinjali.
Tashmë edhe janë publikuar rezultatet preliminare të KQZ-së për katër komunat veriore ku Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë fituar nga dy komuna.
Për këtë çështje, ka reaguar avokati Besnik Berisha ku sipas tij, anipse janë shpallur fitues kandidatët me nacionalitet shqiptar, ata nuk do të mund ta ushtrojnë detyrën e tyre prej kryetari.
Sipas Berishës, ushtrimin e funksionit të kryetarit të komunës nuk do ta lejojnë “ata që në qetësi e stabilitet po investojnë çdo ditë”.
Postimi i plotë:
“Shqiptaret ne Veri te vendit edhe mund te dalin fitues nga keto zgjedhje, meqe serbet i kane bojkotu ne teresi, por ate funksion dhe pergjegjesi mund ta ushtrojne vetem ne shtepi.
Nuk do kete kryetar shqiptar ne komunat me shumice serbe. Kete as nuk e lejojne dhe as nuk e pranojne ata qe ne qetesi e stabilitet po investojne cdo dite.
Mos u gezoni per fitore qe s’japin fitues!”
Në Mitrovicën e Veriut ka shënuar fitore Lëvizja Vetëvendosje me kandidat Erden Atiq që mori 69.8 për qind të votave, PDK-ja me Taulant Kryeziun mori 22.9 për qind të votave dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare për Mitrovicën arriti 7.3 për qind.
Në Zubin Potok shënoi fitore PDK me kandidatin, Izmir Zeqiri i cili mori 52.1 për qind të votave kundrejt Flatron Hasanit nga LVV me 47.9 për qind të votave.
PDK-ja fitoi edhe në Zveçan me kandidat Ilir Peci i cili fitoi 60.0 për qind të votave, ndërkaq kundërkandidati Fetah Peci i VV-së mori 34.4 të votave. Sladjana Pantovic gjithsej 2.6 për qind të votave.
Në Leposaviq ka triumfuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Lulzim Hetimi me 73.5 për qind kundrejt Albulena Behlulu Hetimi me 25 për qind të votave./Sinjali