Takimi mes SHBA-së, Iranit dhe palëve të tjera të marrëveshjes bërthamore është “i mundur”, theksoi një zyrtar i BE-së.
“Megjithatë, nuk ka ende një datë”, deklaroi Peter Stano, zëdhënësi i Komisionit Europian për Punët e Jashtme, në një konferencë të përditshme shtypi.
Stano tha se shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell është angazhuar maksimalisht për rikthimin e JCPOA-së në rrugën e duhur që përfshin kthimin e Iranit në përputhje të plotë, si dhe shikon mundësitë për të kthyer SHBA-në në tryezë.
“BE-ja është e përgatitur të thërrasë bisedime joformale midis palëve të marrëveshjes bërthamore”, shtoi zëdhënësi.
“Diskutime intensive janë në rrugën e duhur me të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë SHBA-në”, nënvizoi ai, duke mirëpritur sinjale nga administrata e presidentit Joe Biden të cilat po krijojnë hapësirën për të përparuar me të gjitha përpjekjet diplomatike, raporton ATSh.
“Tani është koha për diplomaci, të cilën po e bëjmë intensivisht”, theksoi zëdhënësi europian.
Marrëveshja bërthamore, zyrtarish e njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca, Brtiania, Gjermania dhe BE-ja.
Sipas marrëveshjes, Teherani u lejua të pasurojë uraniumin deri në përqendrim 3,67 % dhe në këmbim fuqitë botërore ranë dakord të heqin sanksionet e tyre ekonomike kundër Iranit.
Megjithatë, SHBA-ja, nën drejtimin e ish-presidentit Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja e vitit 2018 dhe vendosi përsëri sanksione mbi Iranin, duke bërë që Teherani të ndalojë së përmbushuri marrëveshjen bërthamore./KosovaPress