Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka një arsye më shumë për të vazhduar fushatën kundër Gjykatës Kushtetuese, pasi ky institucion publikoi në dhjetor të vitit 2023 njoftimin për Aktgjykimin KO 79/23 për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik.
Njoftimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese ka zbuluar dredhinë e kryeministrit Albin Kurti dhe të Qeverisë që ai drejton kur bëhet fjalë për lartësinë e shtesave që do të mund të përfitonin zyrtarët për punën e tyre jashtë orarit, shkruan Demokracia.com.
Me këtë Aktgjykim, Kushtetuesja ka rrënuar shtyllat kryesore të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në Republikën e Kosovës, të cilat u prezantuan nga kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 1 shkurt 2023.
“Me këtë sistem të ri dhe vlera të reja të kompensimeve ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë. Barazi dhe ndershmëri për pagat mes kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve”, deklaronte Kurti nga mbedhja e Qeverisë.
Por, gati një vit më vonë, Gjykata Kushtetuese ka zbuluar dredhinë e Qeverisë së Kosovës kur bëhet fjalë për shtesat që do të përfitojnë zyrtarët për punën e tyre. Në këtë mënyrë, vetë kryeministri Kurti mund të përfitojë më shumë të ardhura nga shtesat se çdo udhëheqës i institucionit të pavarur kushtetues apo institucioneve të tjera. Njëjtë mund të thuhet edhe për zyrtarët e tjerë të Qeverisë në krahasim me zyrtarët e institucioneve të tjera.
Kjo dredhi është vendosur në nenin 24 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, shkruan Demokracia.com.
Sipas pikës 2 të këtij neni, “Fondet e përdorura në çdo institucion për shtesën për kushte tregu të punës, nuk mund të jenë më të larta se 0.5% e fondeve totale të përdorura nga institucioni, për pagën bazë të zyrtareve/ëve në të njëjtin vit fiskal”.
Vetëm një pikë më vonë, në pikën 3, Qeveria e Kosovës e ka përjashtuar vetën nga rregullimi i mësipërm.
“Për qëllim të zbatimit të këtij neni, Qeveria e Republikës së Kosovës do të trajtohet si një (1) organizatë buxhetore”, thuhet në ligj.
Ky nen e favorizon Qeverinë e Kosovës, jo vetëm në raport me institucionet e pavarura kushtetuese, por me çdo instutucion tjetër në Republikën e Kosovës.
Kjo do të thotë se 0.5% ka vlerë tjetër në një institucion që mund të llogarisë më pak se 100 punëtorë, pasi rrjedhimisht edhe lartësia e fondeve totale për paga që përdor ai institucion është shumë më e ulët, qindra-mijëra euro në krahasim me Qeverinë e Kosovës, e cila ka në radhët e veta me dhjetëra-mijëra të punësuar, e bashkë me këtë edhe fondet totale që i përdor për pagat kalojnë miliona euro brenda një viti fiskal.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se meqenëse fondet e tërësishme që Qeveria disponon “janë pakrahasimisht më të larta se ato të institucioneve të pavarura kushtetuese, Qeveria vihet në pozitë më të favorshme krahasur me institucionet tjera”.
Kjo dredhi është kapur nga Gjykata Kushtetuese, e cila sipas njoftimit të publikuar më 26 dhjetor 2023, ka konstatuar se “nuk është në përpuhje me granacinë kushtetuese për pavarësinë institucionale të tyre dhe me ekuilibrin e ndërveprimit ndër-pushtetesh”.
Siç mund të lexohet më lartë, Gjykata Kushtetuese e ka kuptuar se vetëm dy muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me anë të Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023 i është “mundësuar Qeverisë që të tejkalojë tavanet buxhetore të shtesave të përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar, me vendim të Ministrit, duke përjashtuar rrjedhimisht, të paktën Qeverinë nga kufizimet e Ligjit të kontestuar”. /Demokracia.com/