BANORËT E NJË RRUGE NË PRISHTINË PROTESTOJNË TË MARTËN

- in Lajme

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza”, në Prishtinë, kanë paralajmëruar një protestë për javën që vjen. Ata do të protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës për gjendjen e rrugës, gjegjësisht punimet në rrugë.

Banorët në një njoftim dërguar mediave, thonë se edhe pas protestës së para dy javëve nuk kanë parë përshpejtim të punimeve. Gjithashtu, bëjnë të ditur se në protestë do të njoftojnë për peticionin i cili do t`i paraprijë padisë nga banorët për Komunën e Prishtinës.

“Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd. Me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhesë të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht. Ne si banorë, kërkesat tona i kemi adresuar disa here në Komunë por edhe tani jemi pa përgjigje ndaj tyre. Kemi shterur çdo formë mirëkuptimi e institucionale si banorë. Andaj, me datën e lartë cekur PROTESOJMË për: Intesifikim të punimeve, për rrugë alternative të mirëmbajtuara, për mbikëqyrje të punimeve dhe zbatim të planit dinamik të punës”, thuhet në njoftim. /KP