Avdullah Hoti insiston në heqje të akcizës e TVSH-së: Inflacioni ka arritur në 14% po varfërohen familjet

- in Lajme

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar seancë e radhës plenare ku ligjvënësit po debatojnë jashtë rendit të ditës.

Ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ripërsëriti në kuvend se inflacioni në vend ka shkuar në 14 për qind.

“Kjo nënkupton rënie të buxhetit dhe varfërim të familjeve, e duke vazhduar tutje me sektorët si ndërtimtari, bujqësi e të tjera. Që ndikojnë drejtpërdrejtë në punësim, e në ekonomi. Shqetësuese është mungesa e çfarëdo mase e Qeverisë. Në 2019 kur inflacioni ka qenë 3.4%, VV e patë shpall vitin 2019 vit të rritjes së çmimeve me 3.4.Tash çmimet kanë shkuar në 14% dhe nuk ndërmerret asnjë masë. Shikoni pak ekonomitë e tjera. Pavarësisht që kjo është antikushtetuese derisa s’është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, e propozimi jonë e heqjes së akcizës në naftë dhe ulja e TVSH-së do të ndikonte në zbutjen e situatës”, tha Hoti.

Tutje ai tha se derisa Qeveria po promovon të hyrat buxhetore, nuk po përmend përfitimet që po kanë nga rritja e çmimeve për qytetarët.

“Kurse tek të hyrat buxhetore, ministri i Financave dhe Qeveria vazhdimisht po promovojnë të hyrat buxhetore e nuk e mohoj se është edhe për shkak të aktiviteteve ekomomike, por kur ke rritje të çmimeve në import më 24% e kur dihet se këto taksa mbushen nga hyrja në kufi është e qartë se rritja buxhetore reflekton rritjen e çmimeve të mallrave. Pra rritje e buxhetit në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Paradoksi është se dje ose pardje na erdhi në email zyrtar projektligji i qeverisë për të ratifikuar një marrëveshje me Bankën Qendrore prej 50 milionë euro”, shtoi ai.

Avdullah Hoti theksoi se në njërën anë mbahet konferenca për rritje buxhetore, e në anën tjetër kërkon Qeveria kërkon me marr kredi direkte pa mbështetje.

/GazetaSinjali/