Ka një dekadë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin të njëjtën siguri Republikës së Kosovës se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Që prej vitit 2013 dhe 2015, disa ambasadorë e disa Qeveri janë ndërruar, por qëndrimi amerikan ka mbetur i njëjtë që nga fillimi, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, vetëm një njeri, opozitari i dikurshëm Albin Kurti, që erdhi në pushtet me kauzën e tij për të ndaluar themelimin e Zajednicës, nuk i ka besuar kurrë këtij qëndrimi amerikan. Për dhjetë vite, Republika e Kosovës është bllokuar në këtë temë pa gjetur një rrugëdalje.
Duket ironike, por tani që kryeministër është Albin Kurti, kundërshtari më i madh i Zajednicës, ajo ka marrë rrugën e themelimit.
Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], kryeministri Kurti është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për (Neni 10) zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, si dhe për (Neni 7) “të siguruar një nivel të duhur të vetëmeaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarizimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i deklaruar nga zyrtarët më të lartë amerikanë, ka ndjekur linjën e njëjtë se Asociacioni duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës.
I fundit që mbajti këtë qëndrim është ambasadori aktual, Jeffrey Hovenier, i cili më 9 nëntor 2023 deklaroi hapur se draft-statuti i Asociacionit që i është dorëzuar kryeministrit Kurti përmbush kriteret se është në përputhje me Kushtetutën.
“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Hovenier.
Por, edhe ambasadorët e tjerë amerikanë para Hovenier, kanë mbajtur qëndrimet e njëjta. Ambasadorja e parë amerikane, e cila është përballur me kundërshtimet për Asociacionin është Tracey Jacobson, e cila qysh në vitin 2013 kishte deklaruar qartësisht pozicionin amerikan.
“Siç është bërë e ditur në qëllimet dhe kërkesat e konkluzioneve të Këshillit të Evropës, normalizimi i raporteve, po ashtu, është kërkuar nga të dyja shtetet, në mënyrë që të ecin drejt integrimeve evropiane. Ka ende shumë gjëra në agjendë. Kemi dëgjuar shumë diskutime ditëve të fundit, për këtë idenë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe, shpresoj se do të shohim lëvizje para për këtë gjë dhe temat tjera kyçe, siç është zhbërja e strukturave paralele të sigurisë, gjatë ditëve të ardhshme”, deklaronte asokohe Jacobson.
Zbatimi i Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksi të zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], ka marrë dinamikë të re më 26 tetor 2023, pas takimeve të ndara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij Miroslav Lajçak.
Rruga e filluar nga kryeministri Kurti për themelimin e Zajednicës lë pas një dekadë të përplasjeve politike dhe dhunës gjatë protestave të organizuara pikërisht nga ai, si kundërshtar i madh politik i saj. / Demokracia.com /