Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar sot ekspertizën shtesë për rastin e Astrit Deharit.
Kjo është bërë e ditur nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, i cili ka thënë se pret që kjo ekspertizë ta vërtetojë atë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër, në shtator të vitit 2019, e cila ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes së Astrit Deharit.
“Ka arritur ekspertiza shtesë në Prokurorinë Speciale te Republikës se Kosovës në lidhje me vrasjen e Astrit Deharit. Ekspertiza e Institutit te Mjekësisë Ligjore te Lozanes në Zvicër e shtatorit të vitit 2019 ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes së Astrit Deharit dhe kanë konstatuar se :’ …Hipoteza e vetëvrasjes së z.Dehari Astrit me mjetet e paraqitura nga mjekët ligjor nuk duket e vërtetë. Për këtë arsye rrethanat e vdekjes se z.Dehari Astrit janë, sipas mendimit tonë, të përfshira me një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal…”, shkroi Gashi.
Gashi tha se nuk e di se çka shkruan në ekspertizën shtesë, por se është i sigurt që ekspertiza shtesë do të konfirmojë ekspertizën e shtatorit të vitit 2019.