Në fshatin Shtedim të Podujevës është arrestuar i dyshuari për grabitje në Fushë Kosovë.
31 vjeçari A.H është arrestuar lidhur me rastin e grabitjes së konsiderueshme të parave në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovës më 26 tetor 2020. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Policia e rajonit të Prishtinës në vazhdën e masave dhe veprimeve policore që po ndërmerr me qëllim parandalimin e rasteve kriminale si dhe kapjen e personave të dyshuar si autor të veprave të inkriminuara, sot ka kryer një operacion të gjerë cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për grabitje. Ngjarja ka ndodhur më 26.10.2020, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, me ç’ rast nga personeli i një subjekti afarist, ishte grabitur një vlerë e konsiderueshme parash, përderisa po i transportonin ato për ti deponuar në bankë. Operacioni i bastisjes është kryer sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Shtedim të Podujevës me ç’ rast policia ka arritur të arrestoj të dyshuarin; A. H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet të jetë përfshirë në rastin e sipër cekur”, tregon Ahmeti.
Ndërsa lidhur me rastin është sekuestruar një automjet i llojit Pick-Up.
“Ndërlidhur me rastin policia ka sekuestruar edhe; Një automjet të llojit Pick-Up, i cili bazuar në rezultatet e hetimit të deritanishëm dyshohet të jetë automjeti i shfrytëzuar për ikje. Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për tu proceduar më tej”, tregoi Ahmeti./KosovaPress