ARRESTOHEN PESË POLICË PËR KEQTRAJTIM

- in Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë zyrtarë policorë pas një incidenti të ndodhur në Prizren. Ata dyshohen për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor”. Ndërkohë, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, si dhe janë suspenduar nga detyra.

Inspektorati në një komunikatë për media, njofton se kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Prizren.

“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit. Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative). Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, si dhe janë suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftim.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./KP