Anulohet seanca e caktuar për sot në rastin Pjetër Shala, gjykimi rinis më 19 maj

- in Lajme

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë me dije se seanca e radhës e cila ishte caktuar të mbahej sot, në rastin e Pjetër Shalës, është anuluar, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të DHSK-së, thuhet se gjykimi ndaj Shalës do të rinis në datën 19 maj.

‘‘Pas vendimit gojor të Trupit Gjykues, gjykimi ndaj Pjetër Shalës përfundoi për ditën e sotme, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 5 maj) anulohet. Gjykimi do të rinis të premten, më 19 maj, në orën 09:30’’, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndryshe, gjatë seancës së ditës së sotme, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia gjatë seancës së të enjtes, ka nxjerrë pesë urdhra me gojë dhe ka paraqitur kalendarin për këtë çështje deri në janar të vitit 2024.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij, raporton Betimi për Drejtësi.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës

Ai akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

/GazetaSinjali/