Është bërë virale një video ku disa njerëz shihen duke u freskuar në Liqenin e Ujmanit, i cili shtrihet në pjesën veriore të Kosovës. Një faqe në “Facebook” është përkujdesur që në një kënd të videos ta vendosë në mënyrë “të përhershme” fotografinë e kryeminsitrit Albin Kurti, por në pamje nuk shihet njësia speciale, që duket në një video tjetër.
Videoja me fotografinë e Kurtit, pa pamjen e njësisë special mbi urë ka marrë rreth 890 mijë shikime e 24 mijë pëlqime. Kjo video është publikuar nga një faqe e quajtur “Gazeta Plisi”.
“Qindra qytetarë sot pushuan në Liqenin e Ujmanit, vend i cili nuk kishte mundesi më heret të vizitohej shkaku i grupeve kriminale” – thuhet në përshkrimin e videos.
Videoja shoqërohet me zërin e kryeministrit, i cili dëgjohet duke thënë: “Unë nuk kam guxim që t’jap tokë t’Kosovës edhe mendoj që është shumë mirë që është kështu. Ka pasë aso liderësh shqiptarë, edhe n’histori, edhe n’aktualitet, ka edhe të gjallë, ka edhe të vdekur, që kanë qenë t’gatshëm t’japin tokë shqiptare. Unë atë guxim nuk e kam.”
Shumë komentues patën komente pozitive për kryeministrin Kurti. Shaban Avdiji shkroi: “O Hallall Qumshti i Nanes ktij Gjigandi te kombit shqiptare dal nga dale gjitha do ti bie ne vend ALBINI.”
Megjithatë, në videon me fotografinë e zërin e Kurtit nuk shihet nga afër pjesa e sipërme e urës, ku ndodhet një automjet i blinduar i Policisë së Kosovës dhe dy pjesëtarë të njësisë speciale. Të paktën njëri prej tyre shihet me armë të gjatë.
Videoja ku shihen pjesëtarët e njësisë speciale mbi urën e Ujmanit është publikuar nga “Revista Ora”. Një komentues i kësaj videoje shkroi: “Shikoni 40 Grad nxetesi njesia speciale ti rujt 10 persona qe VV i organizon dhe pagun per popullizem shikoni shka jan ne gjendje me bo per karrik nar*omant e vv.” Komenti i tij ka marrë mbi 100 pëlqime./Demokracia