Ambasadorët e QUINT’it i përgjigjen brutalisht qeverisë- i ftojnë në takim OJQ’të serbe për të cilat Bislimi i reagoi Lajçakut

- in Lajme

Dy ditë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi drejtoi kritika ndaj Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi ai u takua me dissa përfaqësues të organizatave joqeveritare serbe, Ambasadorët e QUINT’it i janë kundërpërgjigjur Qeverisë së Kosovës duke ftuar në takim të njëjtat OJQ, raporton Express.

Pamje nga takimi ka publikuar Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili i ka quajtur “partnerë të besueshëm”.

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar Rohde, në rrjetin social X, që më herët njihej si Tëitter.

Pas takimit të Lajçakut me këto OJQ, Bislimi e kishte akuzuar Emisarin e BE’së për qasje jo të drejtë dhe jo neutrale.

Sipas Bislimit, delegacioni që ka takuar Lajcak përbëhet kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova që sipas tij në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të serbëve lokalë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës.

Për këtë deklaratë të Bislimit, mbrëmë ka reaguar ashpër Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

“Bashkimi Evropian është zonja e vetës dhe nuk ka nevojë që dikush t’u tregojë zyrtarëve të saj se kë dhe në çfarë ore mund të takohen Lajçak është takuar vazhdimisht me të gjithë aktorët kryesorë të cilët mund të kontribuojnë me veprimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo vizitë nuk bën përjashtim në këtë drejtim”.

“Këta njerëz nuk janë zëdhënës të Vuçiqit, por OJQ të pavarura që mbështesin programet multietnike dhe punojnë pa u lodhur për integrimin brenda Kosovës”, ka deklaruar ajo.

“Këto deklarata nuk janë vetëm të rreme, por edhe të rrezikshme pasi vendosin në shënjestër personat dhe organizatat e tyre. Unë personalisht jam thellësisht e zhgënjyer dhe e shqetësuar për deklaratat dhe veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt direkt dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbeve etnikë dhe pakicave të tjera”.

“Është thelbësore që karakteri multietnik Kosovës të ruhet, vlerësohet dhe mbështetet. Ky ishte themeli i përfshirë në planin e Ahtisarit i cili siguroi njohjen e perëndimit më 2008”, ka thënë ajo./Demokracia