Ambasada e Kosovë në Zagreb shpërfill gjuhën shqipe, prezantimin e Gërvallës e quan “vehement”

- in Lajme

“Vehement”, sipas njoftimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb, ishte prezentimi i Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut.

“Prezentim vehement i ministres Gërvalla në Dubrovnik”, shkroi ambasada kosovare.

Gjuha shqipe nuk ia ka mbushur syrin shkruajtësit të njoftimit në faqen e Facebook-ut të ambasadës, derisa një fjalë e tillë e panevojshme në gjuhën angleze fare lehtë ka mundur të mënjanohet, me ato shqipe ose të përdorshme zakonisht edhe në gjuhën shqipe si “Prezentim i vrullshëm/i fortë/pasionant ose edhe me ndjenja të fuqishme”.

Megjithë nevojën për të lënë anash gjuhën shqipe, në njoftim thuhet “Në këtë panel fjala e ministres Gërvalla u prit me interes të madh, ku ajo shpaloi të arriturat e Qeverisë së Kosovës në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si dhe synimet e palëkundura të diplomacisë së Kosovës”.

“Dëshmi kjo që ngjalli interes për takime të shumta bilaterale me homolog të saj”, thuhet më tej, në një fjali jo më pak problematike.

“Në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut, Kosova u prezantua me ministren e Puneve të Jashtme dhe të Diasporës znj Donika Gërvalla, ku moren pjesë rreth 40 ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, kryesisht nga vendet e Evropës Jugore, Juglindore dhe Qendrore, si dhe përfaqësues të disa institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe të sektorit të biznesit. Konferenca tradicionale ndërkombëtare e Forumit të Dubrovnikut me moton “A quest for balance in a world disrupted”.  Forumin e sivjetëm të Dubrovnikut e hapi kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviq”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri Plenkoviq në veçanti foli për gjendjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për temat që janë veçanërisht të rëndësishme për pjesën tonë të botës dhe Evropës. Ministrja Gërvalla ishte pjesë e panelit kryesorë krahas ministrit kroat Gordan Grliq Radman, atij grek Nikos Dendias, malazez Ranko Krivokapiq, Zv ministri boshnjak Josip Brkiq, Miroslav Lajçak, etj”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasador i Kosovës në Kroaci është Martin Berishaj.

/Albanianpost.com