Albin Kurti, politikani i dhunës që citon paqësorin Mahatma Gandin

- in Lajme

“Bëhu ti ndryshimi që dëshiron ta shohësh në botë”.

Kjo është një thënie e para disa dekadave e Mahatma Gandit, udhëheqësit të shquar politik dhe ideologjik të Indisë gjatë lëvizjes për pavarësi. Rezistenca e tij ishte e mbështetur në jo-dhunë. Filozofia e tij dhe udhëheqja e ndihmoi të fitojë pavarësinë e Indisë.

Gandi u bë frymëzim për të drejtat civile dhe lirinë në të gjithë botën, shkruan Demokracia.com.

Dekada më vonë, çuditërisht kjo thënie u citua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në karrierën e tij politike në Kosovën e pavarur nuk ka sjellje në pajtueshmëri me mësimet që Gandi i dha botës.

Kurti, dy herë e përmendi emrin e Gandit gjatë takimit të tij me Degët e partisë së tij, Vetëvendosjes. Në rastin tjetër, ai e përmendi atë kur iu referua fitores së VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. “Arsyeja e angazhimit tonë është dëshira e zjarrtë për ndryshim demokratik. E pra, sot që kemi fituar, është e kuptueshme dhe e dukshme vërtetësia e fjalëve të Gandit. Ndryshimin mund ta sjellim vetëm nëse jemi ne ndryshimi”.

E gjithë karriera politike opozitare e Albin Kurti është e mbushur me aktivitete të dhunshme politike që kanë dëmtuar seriozisht reputacionin dhe zhvillimin normal të shtetit të sapoformuar, Republikës së Kosovës.

Sot, Republika e Kosovës është mbrapa në zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar për shkak të politikave bllokuese që vinin nga Kurti e Vetëvendosje.

Kurti është treguar gandist vetëm gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe një intervistë e tij e dhënë për një medium ndërkombëtar vetëm pak ditë pas sulmit mbi Familjen Jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998.

“Nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë. E kam thënë se mes luftës dhe dorëzimit preferoj zgjidhjen pa dhunë”, thoshte Kurti në dokumentarin e asaj kohe.

Por, pas luftës, Kurti nuk ka mbajtur kursin e një politikani që mbështetet në jo-dhunë për të arritur qëllimet politike.

Kurti, me dhunën e tij, i është imponuar skenës politike në Kosovë dhe që prej vitit 2020 ai ka arritur të bëhet kryeministër i Kosovës, por njëkojësisht duke lënë në harresë kundërshtimet disavjeçare dhe duke “përqafuar” të njëjtat marrëveshje të mëhershme.

Kurti, mbahet mend si organizator i protestave të dhunshme, të cilat kanë rezultuar fatale për jetët dhe shëndetin e protestuesve apo edhe zyrtarëve policorë.

Një nga demonstratat më të përgjakshme mbetet ajo e 10 shkurtit 2007, e thirrur nga Kurti dhe Vetëvendosje për të kundërshtuar Propozimin e Marti Ahtisaarit për statusin politik të Kosovës, i cili propozonte Pavarësinë e Kosovës. Dy protestues ishin vrarë në demonstratë, Mon Balaj e Arben Xheladini.

16 vite pas kësaj demonstrate, Kurti ka ndryshuar qëndrimin e tij për Propozuesin e Dokumentit, Marti Ahtisaarin, duke e quajtur atë ‘kampion të paqes’. /Demokracia.com/