Aksioni ‘Brezovica’/ Arrestohet ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, bastisen 6 lokacione

- in Lajme

Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës sot kanë realizuar aksionin ‘Brezovica’ i cili është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme, ku janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë lokacione të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria njofton se katër persona janë ndaluar, në mesin e të cilëve është edhe ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme, ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, katër (4) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Pushkë e gjuetisë, revole, telefon celuar, laptop dhe dokumente të ndryshme.

/GazetaSinjali/