Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zhvilluar një operacion policor sot në rajonin e Pejës, ku janë kontrolluar dhjetë barnatore, për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola, dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve, raporton Sinjali.
Policia ka njoftuar se ky operacion ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Antikontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë, me ç’rast në 6 prej 10 barnatoret që u kontrolluan është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.
“- Biznesi 1, në tri (3) njësi janë gjetur: 398 lloje të barnave pa banderola, 40 copë barna me banderola të falsifikuara, një produkt narkotik pa licencë. Të njëjtit biznes i është lëshuar vendimi nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi që ka qenë duke punuar pa farmacist përgjegjës;
– Biznesi 2, në dy (2) njësi janë gjetur: 203 lloje (produkte) medicinale pa banderola;
– Biznesi 3, në një (1) njësi janë gjetur: 80 lloje (produkte) medicinale pa banderola;
Tre (3) pronarë të bizneseve-barnatoreve janë shoqëruar në Stacion Policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me veprat penale të cekura më lartë.
Në disa barnatore janë pronarët e njëjtë të disa barnatoreve në qytetin e Pejës.
Është konfiskuar sasia e barnave pa banderola që dyshohet se janë të kontrabanduara, me procedura të cilat do të merret më tutje njësia e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës, kurse Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE-DHKEK) nga Policia e Kosovës procedon lëndën në aspektin penal pranë Prokurorisë kompetente.
Pas intervistimit personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë janë liruar në procedurë të rregullt, kurse rastet iniciohen për “Prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “ Kontrabandim të mallrave”.”

