Po vazhdon edhe sot pjesa e dytë e AgroFesta, organizim ky tashmë tradicional në Krushë të Madhe, i cili bën bashkë prodhuesit e këtij fshati me qëllim të promovimit të punës së tyre. Përveç panairit me produktet vendore, në AgroFesta prezantohen edhe aktivitete të ndryshme të cilat në fund të ditës mbyllen me koncert të cilin mund ta përcjellin të gjithë vizitorët, por nën masat e vendosura nga qeveria dhe me dëshmitë e vaksinimit kundër Covid-19.
AgroFesta e cila organizohet me përkrahjen e Komunës se Rahovecit sivjet po shënon numër më të vogël të vizitorë për shkak të situatës me pandeminë, megjithatë aty ka festë që ia vlen të vizitohet.
Kryetari i fshatit Krushe e Madhe, Selami Hoti thotë se këto ditë sa zgjatë festivali janë të gëzuara për gjithë fshatin, meqë prezantohen vlerat krushiane.
Hoti: Bujqësia, bazë e fortë e zhvillimit ekonomik të vendit
“Ajo që keni parë dje e sot e çfarë do të shihni edhe nesër do ua rikujojmë gjeneratave më të vjetra por edhe atyre në ardhje se si kanë qenë gjerat dhe si mund të bëhen me vullnet e dëshirë, kuptohet gjithmonë me punë, djersë, nder e sakrificë… Është një festë në rritje me një traditë tashmë 7 vjeçare. Synojmë të jetë edhe në të ardhmen e njëjta gjë, të vazhdohet tutje për të promovuar këto vlera, për t’i ndihmuar jo vetëm fshatit por edhe tërë zonës, me qëllim për të pasur një mirëqenie dhe zhvillim të vendit, pasi të gjithë e dimë se bujqësia është një bazë e fortë e zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë ai.
Rëndësinë e këtij organizimi e thekson edhe Muharrem Hoti, prodhues vendor.
Hoti: Përmes këtij festivali tregojmë punën e Krushës se Madhe
“Ky festival për ne është shumë domethënës, me tregu sa po punon Krusha e Madhe, bujqit akoma po punojnë, janë të gjitha llojet e perimkulturës, të di gjithë Kosova që po punohet në Krushen e Madhe…Të gjitha perimekulturën e prodhojmë, specin, bostonin, pjeprin, qepën, të gjitha”, thotë ai.
Festa e specit në Krushë të Madhe konsiderohet mundësi për prodhuesit vendor që të depërtojnë edhe në shportën e qytetarëve që vinë nga shtetet e tjera, thotë Anjeza Duraku nga Agro Krusha, fabrika për përpunimin dhe konservimin e turshive.
Duraku:
“Si çdo vit tjetër edhe këtë vit kemi marrë pjesë në AgroFesta, ose ndryshe festën e specit, na pëlqen shumë kjo festë që po bëhet sepse është një urëlidhëse me shtetet e tjera dhe vendet tjera, gjithashtu është një mundësi e mirë për reklamimin e produkteve tona. .. Festivali po na ndihmon shumë sepse shumë qytetarë po vinë nga vendet e tjera, po i shijojnë produktet tona, po i shohin nga afër, gjithashtu po i lënë shije të mirë për vitet e tjera që të kenë një adresë ku me u orientu për turshi të mira”, thotë ajo.
E një prej organizatorëve të AgroFesta, Arbër Zenuni tregon detaje nga aktivitet që janë në kuadër të këtij festivali që sivjet shënon edicionin e shtatë.
Zenuni: Festivali me aitivitetin për ngrënien e specit dhe përgatitjen e ajvarit
“Sot është pjesa e dytë e festivalit që është shoqëruar me aktivitete të ndryshme por fillimisht është bërë hapja e panairit ku synimi ka qenë promovimi dhe ekspozimi i produkteve bujqësore të cilat punohen dhe janë të prezantuara nga bujqit dhe fermerët tanë. Gjatë festivalit pritet të ketë aktivitete të ndryshme ku tani pritet të zhvillohet edhe pjesa e ngrënies së specave të djegës, pastaj do të kemi edhe përgatitjen e ajvarit… Pjesa më interesant është pjesa e tretë ku pas të gjitha aktiviteteve do të transferohemi te pjesa e Drinit të Bardhë, ku kemi menduar që të bëjmë edhe një lojë tjetër, është zënia e peshkut me dorë dhe do të ketë aktivitete të ndryshme atje”, tha ai.
Një prej aktiviteteve më atraktive mbetet gara e ngrënies së specave të djegëst, që sot e fitoi Nora Boshnjaku.
Boshnjaku: Fitova garën në ngrënien e specit
“Para se me ardh këtu i kam ngrenë ndoshta shtatë somborka të djegët, nuk e kam problem. Aktivitet i ri që është paraparë në kuadër të Agrofestës, po besoj gara ka shku mirë, unë i fitova këta” thotë ajo.
Dita përmbyllëse e festivalit mbahet nesër me një prej aktiviteteve më atraktive për banorët e kësaj ane./KP