Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim raportimin e gazetarit kosovar Adriatik Kelmendi, për marrjen në pyetje nga BIA serbe në vizitën e tij të fundit në Beograd.
Sipas Kelmendit, në fakt, ai është përballur me një sjellje të tillë të autoriteteve serbe secilën herë që i ka rënë të udhëtojë në Serbi, tash e një kohë. Kelmendit i janë kërkuar sqarime për pozicionet e tij publike.
AGK e konsideron të papranueshme një sjellje të tillë ndaj një gazetari dhe aktivisti për pajtim rajonal dhe njëherësh e fton Bashkimin Evropian që të reagojë për këtë sjellje që e minon mendimin e lirë dhe procesin e pajtimit në rajon.