Në agjendën festive të Republikës së Kosovës më rastin e 13 vjetorit të pavarësisë së saj, Federata e Futbollit ë Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë organizuar një ndeshje miqësore ndërmjet veteranëve të të dy kombëtareve e cila u zhvillua në stadiumin 2 Korriku në Prishtinë.
Rezultati i kësaj ndeshje ishte i barabartë 0-0, ndërsa protagonistët e këtij evenimenti shprehën urimet e tyre për të gjithë popullin e Kosovës me rastin e 13 vjetorit të pavarësisë së saj.
Duke folur për KosovaPress, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka falënderuar yjet e Shqipërisë që pranuan ftesën dhe ishin pjesë e këtij organizimi si dhe ka uruar popullin e Kosovës duke thënë që shpreson që vit pas viti futbolli i Kosovës të arrij në nivele më të larta.
Ademi: Urime të gjithëve përvjetori i pavarësisë dhe presim që të ngritet niveli i futbollit të Kosovës vit pas viti.
VIIDEO
“Ne kemi bërë një hap si futboll në kuadër të agjendës shtetërore për Pavarësinë e Kosovës dhe kemi ftuar yjet e Shqipërisë të cilët po shihet që iu kanë përgjigjur ftesës sonë, i falënderoj për ardhjen e tyre. Ngjarja jonë është shumë e rëndësishme dhe po mundohemi sa më mirë ta bëjmë. Fatkeqësisht për shkak të borës nuk kemi mundur ta zhvillojmë ndeshjen në stadiumin Fadil Vokrri por edhe këtu jemi në kohë të mirë tani më ky stadium po i plotëson të gjitha kushtet. Ndeshje e mirë dhe e ka karakterin festiv më shumë por gjithsesi kur luhet futboll prapë futbollistët e luajnë atë që e dinë….. Unë iu uroj të gjithëve pavarësinë e Kosovës. Shpresoj që çdo vit do të jetë më i mirë, çdo pavarësi ta gjej futbollin lartë e me lartë dhe sa më mirë.”, tha Ademi.
Ndërsa ish-sulmuesi kuqezi Erjon Bogdani është shprehur i lumtur që e ka vizituar Kosovën me rastin e përvjetorit të 13-të të pavarësisë duke thënë se vizita dhe ndeshja të tilla e përforcojnë lidhje vëllazërorë ndërmjet këtyre dy shteteve.
Bogdani: Për mua është kënaqësi që e vizitova Prishtinën, duhet të jemi afër popullit të Kosovës
VIDEO:
“ E para punës është kënaqësi që erdha këtu që vizitova dhe Prishtinën sepse faktikisht kam qenë vetëm njëherë për një ndeshje dhe kam qenë përciptas. Faktikisht është kënaqësi e madhe që erdhëm këtu dhe bëmë një ndeshje të tillë për arsye se duhet të jemi dhe afër, nuk diskutohet dhe popullit kosovar sepse nesër është edhe dita e pavarësisë. Është një gjë pozitive që erdhëm dhe që bëmë ndeshje të tilla kështu sepse përforcojmë më shumë do të thotë edhe vëllazërimin që kemi neve dhe juve…Urojë të gjithë qytetarët e Kosovës që nesër ta gëzojnë të gjithë sepse është festë e merituar dhe faktikisht me thënë të drejtën unë jetoj në, Itali megjithatë me ato lajme që lexojmë nëpër gazeta ose me ato lajme që shohim nëpër televizione faktikisht Kosova në përgjithësi po ecën me ritme të shpejta, me ritme të mira dhe faktikisht më bëhet shume qejfi që po forcohet në të gjitha mënyrat.”, deklaroi Bogdani për KosovaPress.
Kurse Altin Lala, i cili ishte edhe kapiten në ndeshjen miqësore me Kosovën duke folur për KosovaPress tha se ndeshje të tilla duhet të organizohen për çdo vit dhe ka shtuar se ai e viziton shpeshherë Kosovën dhe se ka parë ndryshime pozitive dhe se kjo është një shembull të cilin duhet ta marrë edhe Shqipëria.
Lala: Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova
VIDEO:
“Faktikisht Kosova ishte në gjendje më të mirë fizike se ata aktivizohen më shpesh. Për ne dikush është edhe në moshë, kishte disi probleme, por mirë, ishte ndeshje pa dëmtime kjo është e rëndësishme, ndeshje vëllazërore dhe duhet me u bë shpresoj për çdo vit ta krijojmë si një ritual për të u bashkuar dhe shpresojmë edhe në stadium të luajmë me tifozë… Unë faktikisht vij shpeshherë në Kosovë, kam parë ndryshime herë pas here në mënyrë shumë pozitive, do të thoja edhe Shqipëria duhet të marr shembull nga Kosova, pavarësisht se është shtet i ri. Natyrisht unë shpresoj personalisht që një ditë të bëhemi një komb, një shtet, me një kryeministër, por kjo është punë tjetër.. I urojë të gjitha të mirat Kosovës, të ketë edhe në vazhdimësi, me u bë edhe liberalizimi i vizave, kjo do të ishte e mirë për shtetasit e Kosovës që të jenë më të lirshëm me lëvizë dhe të kenë edhe zhvillim në ekonomi shpresoj.”, tha Lala
Kosova dhe Shqipëria po vazhdojnë të organizojnë herë pas herë ndeshje vëllazërore në futboll për të shënuar kështu festat e përbashkëta./KosovaPress