“Punoni ditë e natë në ndjekje të kriminelëve”.
Kjo ishte kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në fundin e marsit të vitit 2023, e cila u ishte drejtuar prokurorëve dhe institucioneve të drejtësisë kosovare, pasi bëri homazhe me rastin e 24 vjetorit të masakrës në Podujevë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.
Një kërkesë e tillë është përsëritur shpeshherë nga kryeministri Kurti gjatë pjesëmarrjes së tij në përkujtime të masakrave të ndryshme që Serbia i bëri ndaj shqiptarëve të Kosovës, në pranverën e vitit 1999, shkruan Demokracia.com.
Më shumë se një thirrje për drejtësi, në këtë mënyrë kryeministri Kurti është munduar të hedhë fajin mbi institucionet e drejtësisë, Prokurorinë dhe Gjykatat, për mosndëshkueshmërinë në masë të kënqshme të krimeve të Serbisë në Kosovë, duke anashkaluar faktin se Serbia në asnjë rast nuk pranon të bashkëpunojë me shtetin e Kosvës për të dorëzuar personat e dyshuar/akuzuar dhe për më tepër, i mohon në çdo rast pretendimet e institucioneve kosovare.
Edhe në një rast tjetër, në fillim të prillit të vitit 2024, në përvjetorin e 25-të të masakrimit të 79 banorëve në fshatin Lubeniq të Pejës, Kurti kishte kërkuar sërish nga sistemi i drejtësisë që me urgjencë të trajtojnë rastet e luftës.
“Sistemi të drejtësisë nga këtu i bëj thirrje edhe një herë për adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar. Në Policinë e Kosovës në të kaluarën krimet e luftës janë trajtuar në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda”, kishte deklaruar Kurti.
PASI U KËRKON PORKURORËVE TË NDJEKIN KRIMINELËT, KURTI SHPIK RRENËN SE “KUVENDI I KA FALUR KRIMET E SERBISË”
Këto kërkesa të kyeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drejtuar instiuticoneve të drejtësisë, janë të pakuptimta dhe absurde pasi që më 14 korrik 2024, kreu i Qeverisë është shprehur publikisht se “Më 11 korrik (2024) janë bërë 11 vjet prej kur prej procedurave të shpejtuara deputetët nga të gjitha partitë të cilët janë në opozitë sot, me 2/3 e votave miratuan Projektligjin për Amnisti që i fali krimet e Serbisë në Kosovë”.
E vërteta për Ligjin për Aministinë, të cilën Kurti nga kapaciteti zyrtar si kryeministër po e shtrembëron, qëndron ndryshe: Kuvendi i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka amnistuar apo falur krimet e Serbisë të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit, 1998/99.
Sikur të ishte e vërtetë se me Ligjin për Aministinë (2013) Kuvendi i Kosovës ka “falur krimet e Serbisë në Kosovë”, atëherë nuk do të ekzistonte bazë ligjore për Prokurorinë që të ndiqte të dyshuarit për krime lufte dhe asnjë proces gjyqësor nuk do të mund të zhvillohej pas këtij viti në Gjykatat e Kosovës. Por, disa sosh janë zhvilluar deri më tani dhe procese të tjera gjyqësore janë duke vazhduar.
LIGJI PËR AMNISTINË 2013: NUK FALEN KRIMET, VRASJET…
Ligji për Amnistinë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2013, në asnjë rast nuk ka amnistuar veprat që kanë të bëjnë me gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, ku përfshihen: vrasje, shfarosje, skllavërim, deportim ose përzënie me dhunë të popullsisë, torturim, burgosje ose privime të tjera të rënda të lirisë fizike në kundërshtim me rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare, dhunim, skllavëri seksuale, prostitucion të detyruar, shtatzëni me dhunë, sterilizim të detyruar, persekutim, zhdukja e detyruar e personave, krimet e aparteidit dhe vepra të tjera çnjerëzore, shkruan Demokracia.com.
Neni 4 i Ligjit për Amnistinë tregon se veprat e mësipërme, të parapara në Kapitullin XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kapitullin XIV të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe Kapitullit XVI të Kodit Penal të RSFJ 1976 – janë të përjashtuara nga Amnistia. Po me këtë nen, përjashtohen nga amnistia edhe veprat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje. Neni 4 hedh poshtë rrenën e rrezikshme të kryeministrit Kurti, i cili kalon kufijtë e betejës së brendshme politike./Demokracia