Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mëngjesin e sotëm ka dalë në terren ku ka takuar qytetarë të ndryshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se të gjithë qytetarët që ka takuar i janë ankuar për koston e jetesës, e cila sipas tyre është bërë e papërballueshme.
E për këtë, kreu i LDK-së thotë se Qeveria s’ka ofruar asnjë zgjidhje për jetën e dinijtetshme që familjet kosovare e meritojnë.
“Këtë mëngjes, në Prishtinë, në njërin nga tregjet e pemëve, perimeve e produkteve bazike, takova qytetarë që na thonë të njëjtën gjë: kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme. Me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20%, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50%. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka patur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë”, shkroi ai.
Tutje Abdixhiku ka thënë se propozimet e LDK-së janë refuzuar deri më tani dhe siç thotë ai jo sepse nuk ishin adekuate, por sepse ishin të LDK-së.
“Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të heqim TVSH-në në produktet bazike, të ulim çdo barrë tatimore tani, dhe t’i rrisim pagat në përputhje me inflacionin. Ky është plani i LDK-së, një plan në anën e familjeve dhe njerëzve punëtorë”, përfundoi i pari i LDK-së.