Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të shkretë zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziun, pasi ky i fundit deklaroi se marrëveshja e katër shtatorit në Uashington nuk është e obligueshme.
Abdixhiku ka thënë se çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme, e në veçanti ato me ShBA-në.
Abdixhiku: Aq din i shkreti, çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme
“Aq din i shkreti, çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme dhe me SHBA-të gjithsesi, çdo marrëveshje është me interes të Kosovës”, tha ai.
Këto komente Abdixhiku i bëri me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Nekibe Kelmendit, me ç’rast së bashku me anëtarë tjerë të kryesisë dhe familjarë bën homazhe pranë varrit të saj në Dragodan.
Kreu i LDK-së e vlerësoi figurën e Kelmendit, duke e quajtur si njërën ndër aktivistet më të devotshme dhe simbolike që kjo parti ka pasur ndonjë herë.
Abdixhiku: Nekibe Kelmendi, aktiviste e devotshme e LDK-së
“Është një ditë e vështirë për njëkohësit duhet të jetë një ditë mburrje për ju dhe familjen për atë se çfarë nëne keni pas ju, e ne si LDK çfarë aktiviste të devotshme kemi pasur gjatë gjithë kohës, 19 qershori u bën një dekadë të humbjes dhe ndarjes fizike të Nekibe Kelmendit, njërës prej aktivisteve më të devotshme më simbolike që LDK ka pasur ndonjëherë jo vetëm aq me vet faktin që ka humbur një familje burrin me dy djemtë, dhe ka arritur të punojë për Kosovën është model për secilin prej nesh, model dhe frymëzim, Znj, Nekibe ka humbur gjatë luftës një pjesë të familjes së saj por ka fituar një familje të tërë në Kosovë”, tha ai.
Ndërsa Kosovarja, vajza e Nekibes, falënderoi Abdixhikun dhe LDK-në për kujdesin dhe respektin ndaj nënës së saj.
Ajo tha se të ëmën do ta kujtojë si një simbol të qëndresës e cila arriti të gjejë forcën për të jetuar pavarësisht vuajtjeve të përjetuara.
Kosovare Kelmendi: Unë e kujtoj atë si një simbol të qëndresës
“E falënderoj kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe gjithë anëtarët e tjerë të LDK-së, për kujdesin dhe kujtimin që kanë ndaj nënës sime. Unë e kujtoj atë si një simbol të qëndresës e cila arriti që me gjithë forcën e saj përkundër vuajtjeve ato të i shndërroj në një luftë për pavarësi të vendit tonë dhe shtetndërtimit tonë dhe nuk ishte e vetmja nënë në Kosovë që pësoj tragjedinë. Ka nëna të shumta që brezat e ardhshëm t’i kujtojnë të gjitha nëna në mënyrë që të vazhdojnë luftën dhe të gjejnë forcë për shtetndërtimin e Kosovës”, tha ajo.
Nekibe Kelmendi ishte nënkryetare dhe deputete e LDK-së.
Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.
Më pas, sërish ka punuar si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua si edhe pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë nga ana e regjimit të Millosheviqit.
Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 2001 ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse, përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Kelmendi ka marrë pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë./KP