AAK PËR SHKARKIMIN E DAKËS: PO DËSHMOHET KAPJA E SHTETIT

- in Lajme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas shkarkimit të kryetares së KQZ-së Valdete Daka, duke thënë se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me këtë veprim po dëshmon kapjen e shtetit.

Vjosa Osmani sot shkarkoi Valdete Dakën nga posti i kryetares së KQZ-së dhe në vend të saj emëroi Kreshnik Radoniqin.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, nga presidentja Osmani, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit. Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më pare”, thuhet në reagim.

Presidentja Osmani i kishte kërkuar sot dorëheqje Dakës, në këmbim të mirënjohjes publike për punën e saj, mirëpo kjo e fundit kishte refuzuar një gjë të tillë.

AAK konsideron se arsyetimet e dhëna për shkarkimin e Dakës janë të pasakta.

“Arsyetimet e dhëna për shkarkimin e znj. Daka janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes. Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë.

AAK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndalojë, siç thuhet, përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave.

“Kosova është Republikë Parlamentare me demokraci të konsoliduar dhe si e tillë funksionon dhe është pranuar nga shumë shtete. Këto praktika jodemokratike duhet të marrin fund”, përfundon reagimi i AAK-së.

Daka, intervistën të saj të fundit e kishte dhënë për KosovaPress ku kishte folur rreth përgatitjeve për organizmin e zgjedhjeve dhe se nuk e kishte ndërmend të jepte dorëheqje.    /KP