Gjykata Supreme e Kosovës, javën e shkuar ka vendosur në favor të ZRRE-së, duke mbështetur tarifat e larta për shpenzimin e energjisë elektrike, raporton Gazeta Sinjali.
Ky vendim, erdhi pasi Themelorja e Apeli, i dhanë të drejtë PDK-së që e inicoi këtë rast kundër shtrenjtimit të rrymës.
Vendosja e tarifave të larta, pati ardhur pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.
Por a ka Kosova aktualisht krizë energjetike.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjendja me energji në Kosovë nuk është emergjente.
Kjo për shkak se sipas ASK-së, vendi prodhoi më shumë energji se sa shpenzoi, derisa eksportoi më shumë se sa importoi.
“Në muajin Prill të vitit 2022 Prodhimi Bruto nga Termocentralet i energjisë elektrike ishte 563.94 GWh , Prodhimi Bruto nga Hidrocentralet energjisë elektrike ishte 13.13 GWh. dhe Prodhimi Bruto nga Era dhe ajo Solare i energjisë elektrike ishte 34.58 GWh.
Gjatë muajit Prill të vitit 2022 Energjia Elektrike bruto në Dispozicion ishte 572.05 GWh kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 459.68 GWh apo -9.48 % më i vogël me muajin e njëjtë të vitit paraprak . Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 11.46%. Ndërkaq, Importi i energjisë elektrike në Prill të vitit 2022 ishte 206.1 GWh kurse Eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 245.7 GWh”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Sipas agjencisë, megjithatë Kosova qëndroi më keq në prodhimin e thëngjillit.
“Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 6.49 mijë ton, ose 11.39 % më pakë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet tutje në publikim.