Mediat e huaja kanë raportuar në lidhje me vizitën e ish-presidentit, Hashim Thaçi në Kosovë, pas vdekjes së babait të tij. Mes tjerash, në artikujt e tyre është theksuar se ish-kreut të UÇK-së që po mbahet në paraburgim në Hagë, nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim në fillim të kësaj jave.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”kanë theksuar se gjykata në Hagë e lejoi Thaçin që ta vizitojë varrin e babait, që vdiq gjatë fundjavës.
Aty mes tjerash përmendet se ish-presidentit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim, ku të pranishëm pati liderë të partive politike në Kosovë dhe politikanë nga Shqipëria.
“Erdha i fundit, babë” – mediat kanë përmendur edhe mesazhin e Thaçit në kurorën që vendosi mb varrin e babait në fshatin Burojë.
“Ai ishte i shoqëruar nga zyrtarët policorë të EULEX-it” – raportohet tutje.
Po ashtu, në artikuj theksohet se Thaçi më pas u dërgua në shtëpinë e tij, ku takoi vetëm familjarët e afërt.
Thaçi edhe sonte në Kosovë
Siç u raportua më herët, ish-presidenti Thaçi do ta kalojë natën sonte në Kosovë.
Ai megjithatë, do të jetë nën mbikëqyrjen e rreptë të Gjykatës Speciale. Thaçi do të qëndrojë në zyret e EULEX-it në Kosovë.
Nesër atij do t’i shkojnë për takim familjarët e ngushtë.
Pas këtij takimi, Thaçi do të kthehet sërish në Hagë.
Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, kishte bërë të ditur se kërkesa është bërë ditën e hënë në orën 14:00.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin” – kishte thënë ai.
Derisa Thaçi nuk u lejua që të marrë pjesë në varrimin e babait, pati reagime të shumta në publik, transmeton nacionale.
Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, ka ripostuar shkrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti Gjykatën Speciale një tribunal që, siç tha ai, ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.
Reagimi i Ramës erdhi pas vendimit të Speciales për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u nda nga jeta më 16 mars./Demokracia