Nderohet figura e Haxhi Thaçit

- in Lajme

Shumë personalitete politike, figura të njohura dhe qytetarë të shumtë po marrin pjesë në homazhe për nder të figurës së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Të enjten e 18 marsit, është mbajtur akademia përkujtimore për nder të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk u lejua të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tij nga Gjykata Speciale.

I pari që mori fjalën për të nderuar figurën e Haxhi Thaçit ishte kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Nura, në fjalimin e tij, kujtoi një bisedë të fundit që kishte pasur me të, duke theksuar shpresën që kishte Haxhi Thaçi se ish-presidenti Hashim Thaçi do të jetë në Kosovë këtë pranverë i lirë.

“Fadil, po, po, rini pa merak sepse unë jam mirë. Kam shpresë të madhe se edhe Hashimi këtë pranverë do të na vijë dhe do ta bëjmë një festë të madhe.” Fatkeqësisht, ai po atë ditë u rikthye për të luftuar me vdekjen dhe rezistoi deri sa shuajti mallin për ta parë djalin”.

“Me tundime e priti gjatë, e pa djalin, i shtrëngoi dorën fort dhe mbylli sytë, i lehtësuar përgjithmonë. Hashim Thaçi, si kryeministër historik i Kosovës, sot është larg atdheut. Vendimi për moslejimin që ai të jetë sot mes nesh është një goditje e rëndë”, deklaroi Nura.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Pas kryetarit të Skenderajt, fjalën e mori kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili u shpreh se Haxhi Thaçi ishte krenar për djalin e tij, ashtu siç ishte edhe populli i Kosovës.

“Haxhi Thaçi nuk rriti vetëm një djalë, ai formësoi një udhëheqës, një çlirimtar, një njeri që do të qëndronte në ballë të luftës për lirinë dhe çlirimin e vendit. Kosova u bekua me një udhëheqës, sepse fillimisht u bekua me një baba që besonte në detyrën e shenjtë të shërbimit ndaj popullit të tij. Prandaj, edhe sot, nga kjo mbledhje komemorative, ku padrejtësisht dhe fatkeqësisht mungon Hashim Thaçi, ia përcjellim ngushëllimet më të sinqerta, duke i thënë president: Ashtu siç populli i Kosovës, babai yt ishte krenar me ty gjithmonë”, deklaroi Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,

Edhe kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se Haxhi Thaçi u dorëzua vetëm kur e takoi për herë të fundit djalin e tij, Hashim Thaçi.

“Edhe në momentet më të vështira, kur dhimbja për Hashimin dhe shokët e tij e gërrynte përbrenda, ai nuk lejonte që dëshpërimi të triumfonte mbi shpresën dhe drejtësinë. Malli dhe vuajtjet e bacit Haxhi, për këtë padrejtësi, u bënë të padurueshme kohët e fundit, por ishte pikërisht dëshira e tij për ta parë edhe një herë për së gjalli heroin tonë, presidentin Hashim Thaçi. Kështu ndodhi, Zoti ia plotësoi këtë dëshirë të fundit, edhe për vetëm disa orë”.

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza

Në këtë akademi, pjesëmarrëse ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në fjalimin e saj e nisi duke theksuar mungesën e ish-presidentit Hashim Thaçi në këtë ngjarje.

“Shumë i nderuar dhe shumë i dashur Hashim, që na mungon në këtë përkrahje të babait tënd, sepse padrejtësitë politike dhe kombëtare të burgosjes tënde dhe luftëtarëve të tjerë sot iu shtua edhe një padrejtësi njerëzore dhe morale. Haxhi Thaçi, ky burrë i shtrirë para nesh, është shembulli se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet atdhetar i madh”.

Ajo tha se vlerat e Haxhi Thaçit ishin më të mëdha se urtësia dhe ndershmëria që ai kishte.

“Kjo është e mundur kur urtësia, njerëzillëku, ndershmëria e një burri që duket i zakonshëm shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin dhe sakrificat për atdheun, për kombin, për njerëzit. Por, Haxhi Thaçi ishte më shumë se kaq; përkujdesja prindërore, edukata patriarkale i dhanë Kosovës një komandant dhe një luftëtar, një udhëheqës vizionar, kryeministrin e parë dhe presidentin e pavarur të Kosovës”.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali

Në mungesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë bashkëshortja e tij, Linda Rama, e cila, në fjalimin e saj, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Thaçi.

“Çka nuk di sot fare në këtë ditë kaq të trishtuar është se çfarë do të thotë të kesh fëmijën me pushkë në dorë, duke luftuar nëpër male; duhet të jetë një ankth i pafund. Ndaj, nuk më mbajti dot vendi atje në Tiranë, por desha të jem këtu sot pranë nënës dhe gruas së Hashimit”.

“Nuk besoj se një mungesë mund të jetë kaq e madhe sa prania në një ditë si kjo, dhe prandaj ajo rrezaton shumë përtej këtyre mureve si një këmbanë kujtese për dhimbjen e dhjetëra mijëra prindërve të kësaj toke, që e paguan çmimin e lartë të lirisë”, deklaroi Rama.

Bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Linda Rama

I fundit që mori fjalën ishte Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se dhimbja e tij gjatë katër viteve të fundit ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

“Gjyshi iu nënshtrua të gjitha vuajtjeve që kaluam si popull, por këto katër vite nuk ia doli të mbijetonte nga vuajtjet dhe dhimbjet që shkaktoi padrejtësia. Një sëmundje e pashërueshme për njerëz të vuajtur, krenarë dhe me dinjitet. I madh dhe i përjetshëm do të mbetet kujtimi për ty, gjysh”.

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e të dielës, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte i shtrirë dhe po kurohej përgjatë javëve të fundit./Demokracia