“E sotmja nuk do të ishte e njëjtë pa Hashim Thaçin” – Fjalimi i plotë i Edi Ramës që shkaktoi “tërmet” tek Kurti e VV-ja

- in Lajme

Ai foli rreth 10 minuta për sukseset e mëdha, të cilat Shqipëria i ka arritur në arenën ndërkombëtare, mes turizmit në rritje galopante, Samiteve të suksesshme evropiane të Zhvilluara në Tiranë, atij të pritshëm të NATO-së, apo targetit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Thuajse një fjalim monoton, në një “Kuvend të Shqiptarisë”, ku ligjvënësit e Kosovës dhe Shqipërisë u bënë bashkë për të dytën herë në një mbledhje të përbashkët, pas asaj të parë të nëntorit 2022.

Por Edi Rama, e kishte rezervuar gjithë thelbin e fjalës së tij në pjesën e dytë, kur me fjalë të zgjedhura filloi të godiste kryeministrin Albin Kurti për raportet e shkatërruara me Perëndimin, të fliste për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Hagës padrejtësisht, apo deri edhe të përmendte vizionin e tij të ri për dialogun me Serbinë dhe integrimin në familjen evropiane

Hap pas hapi, çfarë tha Edi Rama në seancë, duke e “vrenjtur” homologun Albin Kurti?

“Trimi i mirë me shokë shumë”

“Objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë janë integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO, dhe në miqësi permanente me SHBA-të. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë në familjen e madhe evropiane”.

Këtë shans, sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, mundet ta shfrytëzojmë vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.

Dhe ky, ishte mesazhi i tij i qartë për homologun kosovar, Albin Kurti, të cilit ia përmendi gjatë një seance të përbashkët solemne të dy Kuvendeve respektive, duke thënë se do të ishte shumë mirë, nëse edhe Kosova, do të ecte me hapat e Shqipërisë në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Dëshira ime e zjarrtë, e patregueshme me fjalë, është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian e tjetra në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian”, shtoi ai më tej.

Sanksione këto, të cilat sipas Ramës, janë krejtësisht absurde. Mbi të gjitha, të cilat ai, së bashku me presidenten kosovare Vjosa Osmani, thotë se ka lobuar me krerët e BE-së që të hiqen sa më parë të jetë e mundur, transmeton albanianpost.

Po ashtu, kryeministri shqiptar e artikuloi shumë qartë se barra e fajit në sytë e Evropës duhet të tregohet qartë se duhet t’i bjerë vetëm Serbisë, por kurrsesi, as edhe një gram, t’i bjerë Kosovës.

Shembullin në fakt, kryeministri e nisi që prej hyrjes së gjerë të fjalimit të tij, kur i përmendi përpara ligjvënësve të të dy vendeve sukseset ndërkombëtare të Shqipërisë, që prej volumit të madh turistik me të huajt, me samitet që mbahen në Shqipëri çdo vit, me besimin që NATO-ja i ka dhenë Shqipërisë, duke menduar të organizojë një Samit të aleancës më të madhe ushtarake në botë në Tiranë, në vitin 2027.

Apo edhe për faktin se në këtë vit, Shqipëria i ka vënë vetes qëllim për të mbyllur negociatat, e më tej të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030.

Ngrirja e dialogut

Sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Kosova gjithashtu duhet të ngrijë pa afat dialogun me Serbinë dhe të vendoset një pikë kontakti vetëm me Bashkimin Evropian, për të avancuar në rrugëtimin evropian të vendit.

Normalizimin ndërkaq, duhet ta synojë vetëm përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian dhe kështu, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në.

“E thënë ndryshe Kosova mund t’ia japë familjes evropiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në një kohë të shkurtër provën e padiskutueshme vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Evropës së bashkuar dhe të NATO-s duke përmbushur uniliteralisht të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve evropiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin”, përmendi ai ndër të tjera.

Pa UÇK-në nuk ka nisje për Bruksel

Ai po ashtu e ka bërë të qartë që sipas tij, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të nisen për integrimin në Bruksel, pa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në një proces gjyqësor krejtësisht të padrejtë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Por, mbi të gjitha, ai shprehu edhe një keqardhje të madhe për faktin se në Kuvendin e Kosovës, nuk ka pasur kurrë një rezolutë të gjithëpranuar (të paktën nga partitë shqiptare), për të kërkuar llogari ndaj vendeve financuese të Dhomave Speciale, mbi cenimin e standardeve në procesin e gjykimit kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

“Në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga dyshimi, se ai proces është i parregullt ligjor, dhe se standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të çdo vendi demokratik që e financon atë gjykatë”, shtoi ai.

Rama e saktësoi se ai nuk mendon se Gjykata nuk është e pavarur, pasi ajo është e tillë, por fakti sipas tij është se standarded nuk janë të varur nga gjykatësit.

“Ndoshta ky shqetësim i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është gjemë e madhe. Jo për ata katër njerëz të thjeshtë, por për vete integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo republikë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi republikën. Prandaj nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prehja gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te më politiket, që ajo gjëmë nëse është gjëmë ta bëjë dëmin e vet deri në fund”, vijoi.

“Pa përfaqësuesit e UÇK-së nuk nisemi, as sot, as nesër, asnjëherë. Vetëm bashkë. Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së. Pa Hashim Thaçin e shokët e tij që udhëtuan bashkë me Rugovën e Qosjen, ne nuk e dimë, çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës, por çfarë ne dimë me siguri është se ato qaste nuk do të kishin ardhur, dhe e sotmja do t’i ngjante të shkuarës, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në krye Hashim Thaçin”, tha ai.

“Sot që ne jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi po mbahen peng prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkomëbtare e cila ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e një shteti të së drejtës. As nuk e kam diskutuar ndonjëherë, as sot, të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vet Hashimi ka ngritur dorën për të formuar ajo Gjykatë”, tha Edi Rama

Teksa, përmbylli: Dua ta dini të gjithë, se nëse Kuvendi do e ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe nëse do na kërkohej që një nisem të tillë t’i bashkohet edhe Kuvendit të Shqipërisë, PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë./Demokracia