Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Hagë, ku Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar se ish-presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë.
Krasniqi ka bërë thirrje që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale, duke theksuar se drejtësia asnjëherë nuk duhet të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri. Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale!”, ka thënë lideri i PDK-së./Demokracia