Taktika e re e Prokurorisë në Hagë: “Pushon hetimet” ndaj dëshmitarëve për t’i bindur të dëshmojnë në rastin e krerëve të UÇK-së

- in Lajme

Prokuroria e Gjykata Speciale siç duket kanë gjetur një formë efektive të “joshjes” së dëshmitarëve për të dhënë dëshmi kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Atë të “pushimit të hetimeve” dhe dhënies së garancive se nuk do të inkriminohen.

Vetëm në 30 ditët e fundit, tre dëshmitarë që dhanë dëshminë e tyre në Speciale në rastin kundër katërshes së madhe të UÇK-së, u liruan “nga hetimet” që kinse Prokuroria e Specializuar po kryente ndaj tyre, ndonëse s’kishte njoftim paraprak se ata mund të ishin të dyshuar apo të akuzuar, shkruan lajmi.net.

Në fillim të nëntorit, ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja, refuzonte të përgjigjej në pyetjet e Prokurorisë së Specializuar duke e arsyetuar veprimin e tij me rrezikun që deklaratat e tij do ta inkriminonin atë.

Për thuajse një ditë të tërë, atij iu parashtruan pyetje të cilave ai nuk iu përgjij, derisa duket se Prokuroria e Specializuar dhe gjykata arritën në një zgjidhje, që do të aplikonin edhe në dëshmitarët pasues.

Buja në ditët në vijim ndryshoi qasjen e tij. Ai dëshmoi dhe u përgjigj në pyetjet që iu bënë, e në këmbim të kësaj ndaj tij pushuan hetimet.

Pas Bujës, për katër ditë me radhë në Hagë dëshmoi edhe Halil Qadraku, ish ushtarak i UÇK-së gjithashtu.

Pas kësaj periudhe, edhe Qadraku mori “lajmin e gëzueshëm” se Specialja pushoi hetimet ndaj tij.

 

Njëjtë si me dy të parët, u veprua edhe me të tretin apo të fundit.

Ish-komandanti Sokol Bashota, pasi dëshmoi në Hagë mori lajmin se ndaj tij Specialja s’do të ndërmarrë asnjë veprim dhe se për të kanë pushuar hetimet.

Bashota ka thënë se hetimet ndaj tij kishin nisur në vitin 2019 kur edhe ishte intervistuar nga organi i akuzës në Dhomat e Specializuara, dhe tash, pas pesë viteve, ndaj tij më nuk rëndon asnjë dyshim.

 

Ish-kryetari i Klinës, me gjasë nuk do të jetë i vetmi ndaj të cilit Specialja do t’i “pushojë hetimet” pasi siç edhe dihet, një pjesë e madhe e dëshmitarëve që janë ftuar në të kaluarën për intervistim në ZPS, janë thirrur si “të dyshuar” apo “dëshmitarë dhe të dyshuar”.

Duket se ky mekanizëm i shpikur nga Prokuroria e Speciales po përdoret si formë “joshje” për të dëshmuar në këmbim të pushimit të një hetimit ndaj një individi që ndoshta s’ka nisur kurrë./Demokracia