“Lirimi nga të gjitha akuzat i Bujës është i rëndësishëm ngase e përforcon faktin tashmë të mirënjohur se UÇK ka qenë ushtri popullore me mision çlirimin nga Serbia”.
Lirimin nga të gjitha akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të Shukri Bujës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Nerodimes, avokatët po e shohin si lajm të mirë për procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte.
Avokati Ardian Bajraktari në një bisedë për Albanian Post thotë se fakti që një komandant zone i UÇK-së është liruar nga të gjitha akuzat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, është lajm i mirë, jo vetëm për Bujën, por edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Lirimi nga të gjitha akuzat i Bujës është i rëndësishëm ngase e përforcon faktin tashmë të mirënjohur se UÇK ka qenë ushtri popullore me mision çlirimin nga Serbia, dhe se e njëjta nuk ka pas strukturë komanduese, gjë e cila është dëshmuar shumë qartë edhe në dy proceset paraprake gjyqësore, ndaj Haradinajt dhe Limajt”, tha Bajraktari.
Bajraktari vlerëson se siç kanë rënë akuzat për trafikim me qenie njerëzore do të bien edhe akuza për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, ngase nuk është arrit të konfirmohet përmbushja e asnjërit prej elementeve që ligji kërkon për t’u cilësuar një ndërmarrje si e tillë.
“Prandaj, ky proces ndaj ish krerëve të UÇK-së, i vlerësuar si procesi gjyqësor nga më jo transparenti dhe i konfirmuar tashmë nga vet gjykata si proces i stërzgjatur, do të rezultojë me lirim nga akuzat, ndryshe nuk ka logjik”, potencoi ai.
Ndërsa në këndvështrimin e avokatit Tahir Rrecaj i cili ka mbrojtur disa nga ish pjesëtarët e UÇK-së si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, lirimi i Bujës mund t’i ndihmojë në proces gjyqësor ish-krerëve të UÇK-së për të cilët shprehet i bindur që janë të pafajshëm.
“Unë pres lirimin edhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, sepse nuk mund të ketë përgjegjësi komanduese, nuk mund të shpallen fajtor, sepse UÇK nuk ka pasur një strukturë organizative të mirëfilltë, nuk ka pasur hierarki. Për përgjegjësi komanduese ka dështuar procesi për zotëri Limajn dhe Haradinajn. Në rrethana që ushtë zhvilluar lufta nuk mund të ketë përgjegjësi komanduese”, ka shpjeguar Rrecaj për AP.
Ndërsa në fillim të këtij muaji, Buja, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e ka liruar nga të gjitha akuzat dhe ka përmbyllur hetimet ndaj tij.
“Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së”, shkroi Buja në Facebook, duke shtuar se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare./Demokracia