Biznesmeni i afërt me Vetëvendosjen kap edhe një tender në vlerë 373 mijë euro në Komunën e Podujevës, kishte ofertën më të shtrenjtë

- in Lajme

Biznesmeni Eljesah Podvorica, pronar i kompanisë “Eing Com”, e cila ka fituar shumë tenderë në Komunën e Podujevës, duket se vazhdon të përfitojë nga marrëdhëniet e afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Një kompani që ka fituar shumë tenderë në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka të ndalur me ‘kapjen’ e kontratave në këtë komunë.

Pronari i kompanisë “Eing Com”, Eljesah Podvorica, ka shfaqur afërsi me partinë e Shpejtim Bulliqit. Më 24 korrik, Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, kishte hapur tenderin për ndërtimin e Tregut të Gjelbër. Vlera e parashikuar e kontratës ishte afër 1.5 milionë euro dhe kontrata u nënshkrua me kompaninë “Eing Com”.

Demokracia.com ka zbuluar se është publikuar njoftimi për vendimin e procedurës për “Ndërtimin e sallës së brendshme sportive në shkollën Ali Ajeti në Sfeçël”, ku kompania “Eing Com” është rekomanduar për kontratën në vlerë prej 373,787.00 euro.

Dy kompani të tjera u eliminuan nga garat me argumentin se nuk plotësonin kërkesat sipas dosjes së tenderit: “Konstruktori Ing 196 shpk”, me një ofertë prej 292,999.19 euro dhe “Ard 94 shpk” me ofertën prej 294,940.78 euro, duke pasur ofertë rreth 80 mijë euro më të ulët.

Nga ana tjetër, vlera e parashikuar nga Komuna e Podujevës për këtë tender ishte 230,000.00 euro për buxhetin e vitit 2024 për këtë projekt.

Nëse çmimi i kontratës është më i lartë se vlera e parashikuar e tenderit tregon se autoriteti kontraktues nuk e ka bërë si duhet llogaritjen e vlerës së parashikuar. Për më tepër, Ligji i Prokurimit në këtë rast ka paraparë të anulohet në tërësi procesi i prokurimit dhe më pas të shtohen mjetet e tjera dhe të hapet tender i ri.

Neni 62 i Ligjit të Prokurimit flet për “Përfundimin e Aktivitetit të Prokurimit” dhe aty është caktuar qartë se në këtë rast duhet të anulohet procedura e prokurimit.

  1. Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: “1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në pikën 1.2 të nenit 62.

Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.

“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:

  1. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.

Pronari i kompanisë, EING COM SH.P.K, Eljesah Podvorica, jo rrallëherë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vitin 2021, deputeti i LVV-së Salih Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

Dyshja shihen në një fotografi nën shoqërinë edhe të disa personave për rreth.

Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isakut.

“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë, UÇK-së”, shkruhej në postim. /Demokracia.com/

Ne vitin e kaluar është themelor një kompani e re “Eing Com” & “El Bau”, me 99 për qind te aksioneve nga kompania “Eing Com” dhe vetme 1per qind “El Bau”, kompani e cila është mjafte e faret me Vetëvendosjen e cila ka krijuar monopol me marrjen e tenderëve ne Gjilanin qe udhëhiqet nga LVV. /Demorkacia.com/